EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
BELLAJ NUK PËRMBAHET: “AJO PENALLTI NUK EKZISTONTE, PËR MUA NDESHJA PËRFUNDOI 1-0” Football

BELLAJ NUK PËRMBAHET: “AJO PENALLTI NUK EKZISTONTE, PËR MUA NDESHJA PËRFUNDOI 1-0”

Trajneri i Vorës vlerësoi reagimin e skuadrës së tij ndaj Teutës, por kundërshtoi me forcë penalltinë e akorduar në fundin e takimit. Sipas tij, rezultati 2-0 nuk pasqyron atë që skuadra tregoi në fushë

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, vlerësoi paraqitjen dhe reagimin e skuadrës së tij pas humbjes ndaj Teutës, por nuk e fshehu pakënaqësinë për vendimin e arbitrit për të akorduar penallti në fundin e ndeshjes.

Në deklaratën e dhënë për RTSH-në pas takimit, Bellaj pranoi se Teuta pati momentet e saj në pjesën e parë, ndërsa theksoi se Vora mori kontrollin e lojës pas pushimit dhe krijoi raste, por nuk arriti t’i konkretizonte.

“Teuta pati minutat e saj në pjesën e parë, kur na mbajti pranë portës sonë. Kjo nuk ndodhi në pjesën e dytë, kur ne morëm kontrollin e lojës. Krijuam raste, por nuk shënuam. Megjithatë, i përgëzoj djemtë për reagimin pas asaj humbjeje të rëndë. Sot reaguam mirë dhe, sidomos në pjesën e dytë, arritëm të dilnim në lojën tonë”, deklaroi Bellaj.

“Për mua, ndeshja ishte 1-0”

Trajneri i Vorës ishte kategorik kur foli për penalltinë e akorduar në fundin e ndeshjes. Sipas tij, distanca mes lojtarëve ishte tepër e vogël dhe ndërhyrja e VAR-it nuk e sqaroi siç duhej episodin.

“Për mua, ndeshja përfundoi 1-0, sepse ajo penallti në fund nuk ekzistonte. Nuk kishte penallti fare, fare, fare! Mund të futet kush të dojë për ta parë, por ai rast nuk ka lidhje me penalltinë”, u shpreh Bellaj.

Ai kërkoi që sistemi VAR të ketë më shumë pamje dhe kënde filmimi, në mënyrë që vendimet e rëndësishme të analizohen më saktë.

“Nëse VAR-i nuk ka pamje të qarta, atëherë si mund të ndërhyjë? Le të vendosin 100 kamera, nëse është e nevojshme. Distanca ishte shumë e afërt, pothuajse gjysmë metri. Nga ato që kam parë, në raste të tilla nuk jepet penallti”, vijoi trajneri.

Bellaj theksoi se rezultati 2-0 krijon përshtypjen e gabuar se Vora nuk bëri asgjë në fushë, ndërsa sipas tij takimi ishte i luftuar dhe skuadra e tij qëndroi në lojë deri në fund.

“Më vjen keq, sepse rezultati 1-0 do të tregonte një ndeshje të luftuar. Ndërsa 2-0 duket sikur ne nuk treguam asgjë. Kjo ndikon edhe në moralin tonë, sepse ne luftojmë për objektiva të ndryshëm nga Teuta”, shtoi ai.

Një gabim që kushtoi shtrenjtë

Tekniku i Vorës foli gjithashtu për mënyrën se si skuadra e tij kishte përgatitur mbrojtjen ndaj Boçit, një prej lojtarëve më të rrezikshëm të Teutës.

“E dija se çfarë lojtari është Boçi. E kishim analizuar në video dhe u kisha kërkuar lojtarëve të mbyllnim qendrën, sepse ai ka një krosim shumë të rrezikshëm. Në atë moment ishte një vendim individual i futbollistit. Duhej të ishim më pranë kundërshtarit, sepse sulmuesi i tyre është shumë i fortë në zonë, sidomos për shkak të shtatlartësisë”, shpjegoi Bellaj.

Ai shprehu keqardhjen që puna e bërë gjatë gjithë javës u zhbë nga një episod i vetëm.

“Bëmë vetëm një gabim dhe e pësuam. Kjo më vjen keq, sepse kishim punuar gjatë gjithë javës. Në pjesën e dytë nuk i lejuam të luanin dhe i detyruam të përdornin topa të gjatë”, përfundoi trajneri i Vorës.

Pavarësisht humbjes, Bellaj mbetet optimist për vazhdimin e sezonit. Ai beson se Vora ka forcën e nevojshme për të konkurruar me skuadrat e mesit të renditjes dhe për t’i mposhtur ato, veçanërisht në fushën e saj.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027