Football
Beşiktaş hidhet në sulm për Vlahovićin, dërgon ofertën përfundimtare
Në Stamboll mbizotëron optimizmi, por marrëveshja ende nuk është mbyllur. Tashmë gjithçka është në duart e Vlahovićit: Beşiktaş e ka bërë lëvizjen përfundimtare dhe pret vetëm “PO”-në e tij.
Beşiktaş po bën përpjekjen e fundit për të siguruar shërbimet e sulmuesit serb Dušan Vlahović. Klubi turk ka dërguar ofertën përfundimtare dhe tani është në pritje të përgjigjes së lojtarit dhe përfaqësuesve të tij.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, drejtuesit e Beşiktaşit po punojnë intensivisht për të marrë “dritën jeshile” nga 26-vjeçari. Vlahović është objektivi kryesor i klubit që prej muajit qershor dhe konsiderohet goditja ideale për repartin ofensiv.
Raportimet në mediat turke dhe italiane bëjnë të ditur se Beşiktaş i ka ofruar sulmuesit një kontratë tre ose katërvjeçare, me një pagë që mund të arrijë nga tetë deri në dhjetë milionë euro neto në sezon. Në paketën financiare pretendohet se është përfshirë edhe një bonus nënshkrimi deri në dhjetë milionë euro.
Një rol të rëndësishëm në negociata mësohet se ka luajtur trajneri Vincenzo Italiano. Tekniku italian, i cili e njeh Vlahovićin nga periudha e tyre te Fiorentina, ka kontaktuar personalisht me sulmuesin dhe i ka prezantuar projektin ambicioz të klubit nga Stambolli.
Edhe drejtori sportiv Eduard Graf është angazhuar drejtpërdrejt në operacion. Sipas raportimeve, ai ka udhëtuar në Serbi për të zhvilluar bisedime intensive me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij.
Vlahović është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Juventusin, ndaj Beşiktaş nuk duhet të paguajë tarifë transferimi. Megjithatë, sulmuesi serb dhe kampi i tij po shqyrtojnë me kujdes të gjitha mundësitë përpara marrjes së vendimit përfundimtar.
Beşiktaş është aktualisht klubi që ka paraqitur ofertën më të fuqishme financiare. Drejtuesit bardhezinj shpresojnë që përgjigjja e lojtarit të mbërrijë shumë shpejt dhe Vlahović të bëhet sulmuesi i ri i skuadrës.
Në Stamboll mbizotëron optimizmi, por marrëveshja ende nuk është mbyllur. Tashmë gjithçka është në duart e Vlahovićit: Beşiktaş e ka bërë lëvizjen përfundimtare dhe pret vetëm “PO”-në e tij.