Football
BORSHI PAS HUMBJES NË LAÇ: “VLLAZNIA DUHET TË NDRYSHOJË MENTALITETIN”
Zëvendëstrajneri i kuqebluve pranoi se dy pikë në katër ndeshje janë shumë pak. Ai kërkoi një skuadër më agresive, më të egër dhe me mentalitet fitues.
Vllaznia pësoi një tjetër goditje në kampionat, duke u mundur 2–0 nga Laçi në një ndeshje që u karakterizua nga tensioni, kartoni i kuq dhe ndërprerja e gjatë për shkak të boshatisjes së tribunës.
Pas përfundimit të sfidës, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, pranoi se stafi teknik kishte rezerva për lojën e skuadrës, veçanërisht për mënyrën se si u pësuan golat.
“Nuk mund të them se zhvilluam një pjesë të parë të mirë, por u mbrojtëm mirë dhe u përpoqëm ta kapnim Laçin në tranzicion. E provuam dy herë në pjesën e parë dhe kjo ishte ideja edhe për pjesën e dytë. Megjithatë, pësuam një gol shumë shpejt dhe kjo është krejtësisht e pafalshme”, deklaroi Borshi.
“Po pësojmë gola shumë të thjeshtë”
Numri dy i stolit shkodran e vuri theksin te gabimet individuale dhe mungesa e përqendrimit. Sipas tij, mënyra se si Vllaznia po i pëson golat është kthyer në një problem të përsëritur.
“Nuk është vetëm goli i sotëm. Nëse shikoni edhe golat që kemi pësuar më parë, janë gola shumë të thjeshtë, të cilët duhet t’i shmangim. Gabime të tilla nuk duhet të përsëriten”, u shpreh ai.
Vllaznia e pësoi golin e dytë menjëherë pas rifillimit të lojës, pas një ndërprerjeje të gjatë që erdhi si pasojë e kartonit të kuq dhe vendimit për boshatisjen e tribunës.
Ndërprerja ndikoi te përqendrimi
Borshi pranoi se ndërprerja e ndeshjes ndikoi ndjeshëm te ritmi dhe përqendrimi i futbollistëve.
“Ndikoi shumë. Ishte pikërisht momenti kur skuadra po përpiqej të reagonte. Ndërprerja uli përqendrimin e të gjithë lojtarëve dhe jo vetëm të skuadrës sonë. Loja u ndërpre për pothuajse 20 minuta dhe më pas ishte e vështirë të flitej për vazhdimësi”, shpjegoi ai.
Menjëherë pas rifillimit, Laçi realizoi edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren 2–0.
“Goli i dytë erdhi për shkak të shpërqendrimit, por edhe prej dëshirës sonë për të shënuar golin e barazimit. Në të dyja ndërprerjet e ndeshjes, si në pjesën e parë, ashtu edhe pas kartonit të kuq, ne pësuam shumë shpejt. Kjo është tërësisht çështje përqendrimi”, shtoi Borshi.
“Dy pikë janë shumë pak”
Vllaznia ka grumbulluar vetëm dy pikë në katër javët e para, një bilanc që nuk përputhet me objektivat dhe pritshmëritë e klubit shkodran.
“Dy pikë janë shumë pak për ne dhe shumë pak edhe për tifozët tanë. Por nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveçse të shikojmë përpara dhe të punojmë më shumë. Çdo ndeshje ka vështirësinë e saj, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Duhet të vazhdojmë të luftojmë”, theksoi zëvendëstrajneri.
Kërkohet ndryshim mentaliteti
Në fund, Borshi dha edhe mesazhin më të fortë për skuadrën. Sipas tij, Vllaznia duhet të ndryshojë menjëherë mentalitetin dhe mënyrën se si i përballon duelet në fushë.
“Vllaznia duhet të ndryshojë mentalitetin. Duhet të kemi një mentalitet më fitues, të jemi më agresivë dhe më të egër në lojë. Duhet të hyjmë në fushë për t’i fituar të gjitha duelet, si për topin e parë, ashtu edhe për topat e dytë”, përfundoi Borshi.
Humbja në Laç e thellon krizën e rezultateve te Vllaznia. Kuqeblutë tani duhet të reagojnë shpejt, sepse dy pikë pas katër ndeshjeve janë një sinjal alarmi për një skuadër që e nisi sezonin me objektiva të mëdha.