Football
DAJA JR ZBËRTHEN TAKTIKËN E DINAMOS: “DUHEJ TA KISHIM MBYLLUR MË HERËT”
Glen Daja, djali dhe zëvendësi i trajnerit Ilir Daja, analizoi fitoren 2–1 ndaj Elbasanit, duke shpjeguar presingun e lartë, rotacionet në mesfushë dhe personalitetin e treguar nga skuadra.
Zëvendëstrajneri i Dinamos, Glen Daja, ka analizuar në detaje suksesin 2–1 ndaj Elbasanit në emisionin “Super Gol” në RTSH.
Daja Junior pranoi vështirësinë e përballjes, por vlerësoi paraqitjen dhe personalitetin e lojtarëve të Dinamos, të cilët, sipas tij, e kontrolluan ndeshjen dhe mund ta kishin siguruar fitoren më herët.
“Elbasani është një nga rivalët tanë kryesorë”
“Të them të drejtën, ishte një ndeshje mjaft e vështirë. Elbasani është një nga rivalët tanë kryesorë. E dinim se do të ishte e vështirë, aq më tepër që luanim në Elbasan, edhe pse ne ishim skuadra pritëse. Dua t’i përgëzoj djemtë, sepse ishin në nivelin e duhur. E menaxhuam të gjithë ndeshjen dhe duhej ta kishim mbyllur më herët”, deklaroi Glen Daja.
Ai shtoi se lojtarët e interpretuan shumë mirë planin e përgatitur nga stafi teknik përballë një kundërshtari të fortë.
“Besoj se djemtë e interpretuan ndeshjen mjaft mirë kundër një skuadre si Elbasani, që është e fortë dhe meriton respekt maksimal.”
Rotacioni Qefalija–Alhasani
Zëvendëstrajneri i Dinamos u ndal edhe te lëvizjet taktike në mesfushë, veçanërisht te rotacioni ndërmjet Qefalijës dhe Alhasanit.
“Kur Alhasani kishte topin dhe krijohej hapësirë përpara, detyra e Qefalijës ishte të pozicionohej si qendërmbrojtës. Ne vazhdojmë të bëjmë lojën tonë dhe kjo është meritë e djemve, veçanërisht e lojtarëve me eksperiencë.”
Sipas Glen Dajës, kjo lëvizje është pjesë e detyrave të numrit 6, i cili duhet të zbresë mes mbrojtësve kur njëri prej tyre avancon.
“Qefalijës i kërkohet ta bëjë këtë, por është edhe përgjegjësia e tij. Në pozicionin e numrit 6, ai duhet të zbresë kur njëri nga dy qendërmbrojtësit del përpara.”
Mungesa e Ditës dhe roli i lojtarëve me përvojë
Dinamo luajti pa njërin prej elementeve më të rëndësishme të skuadrës, kapitenin Bruno Dita.
“Kishim një mungesë të rëndësishme, një nga shtyllat e ekipit, Ditën. Përveçse është kapiteni, ai është edhe trajneri ynë në fushë. Të gjitha këto rotacione janë pjesë e filozofisë sonë. Ato realizohen nga lojtarët me eksperiencë, normalisht pasi marrin detyrat nga stafi teknik.”
“Këtë personalitet po e ndërtojmë prej dy vitesh”
Glen Daja theksoi se personaliteti i shfaqur ndaj Elbasanit është rezultat i punës së kryer gjatë dy viteve të fundit.
“Kemi gati dy vite te Dinamo dhe besoj se e kemi ndërtuar deri diku filozofinë tonë. E kishim përgatitur edhe pjesën e presingut. Nëse filtri i parë me Malomon, Rubenin dhe Berishën nuk do të funksiononte dhe Elbasani do të dilte nga presioni, do të tërhiqeshim në presing mbrojtës.”
Plani alternativ parashikonte kalimin në skemën 3-5-2, por Dinamo nuk pati nevojë ta aplikonte gjatë pjesës së parë.
“Do të kalonim në 3-5-2, por kjo nuk ndodhi në asnjë moment të pjesës së parë. Djemtë treguan personalitet, e mbajtën topin dhe nuk ia dorëzuan kundërshtarit.”
Presingu ultraofensiv dhe “xholi” Ardit Vila
Daja Junior vlerësoi gjithashtu mënyrën se si skuadra aplikoi presingun e lartë dhe kontributin e Ardit Vilës.
“Presingu ultraofensiv kërkon një kohë shumë të mirë të ushtrimit të presionit dhe besoj se sot e kishim. Nuk e humbëm topin shpejt. Për rotacionet në mesfushë duhet përshëndetur Vila. Ai është një lojtar ‘xhol’, sepse mund të luajë në disa pozicione.”
Mesazh për Fadairon
Në fund, Glen Daja kishte edhe një përshëndetje për sulmuesin Fadairo, duke kujtuar kontributin e tij me Dinamon në Kupat e Europës.
“E përshëndes Fadairon, sepse na ndihmoi shumë në Kupat e Europës. Përveçse ishte një lojtar shumë i mirë, ishte edhe një djalë fantastik”, përfundoi Glen Daja për RTSH-në.
Fitorja ndaj Elbasanit tregoi një Dinamo me identitet të qartë, agresive në presing dhe të aftë të kontrollojë lojën. Pas suksesit fshihet një filozofi e ndërtuar nga Ilir Daja dhe stafi i tij, të cilën “Daja Junior” e shpjegoi deri në detajet më të vogla.