Football
DERBI I KRYEQYTETIT, ILIR DAJA: “ËSHTË NJË NDESHJE QË LUHET PËR T’U FITUAR”
Dinamo City përballet të shtunën me Partizanin në derbin e parë të sezonit. Trajneri Ilir Daja kërkon ekuilibër dhe sa më pak gabime, ndërsa konfirmon rikthimet e Bruno Ditës dhe Klevis Qardakut.
Partizani dhe Dinamo City do të përballen të shtunën, në orën 16:00, në Stadiumin e Vorës, në një nga sfidat më të rëndësishme të javës së “Abissnet Superiore”.
Ky do të jetë derbi i parë i sezonit për Dinamon, e cila vjen në këtë takim me optimizëm dhe në një gjendje të mirë psikologjike pas rezultateve pozitive të javëve të fundit.
Në prag të ndeshjes, trajneri i bluve, Ilir Daja, vlerësoi forcën e Partizanit dhe theksoi se në një përballje të tillë diferencën mund ta bëjnë detajet.
“Ndeshjet derbi janë të veçanta. Janë ndeshje që luhen për t’u fituar, por në të njëjtën kohë janë edhe të paparashikueshme. Vijmë me optimizëm dhe entuziazëm, si dhe me një gjendje të mirë psikologjike pas rezultateve të fundit”, deklaroi Daja për faqen zyrtare të Dinamo City.
“DO TË FITOJË EKIPI QË BËN MË PAK GABIME”
Edhe Partizani mbërrin në derbi në një moment pozitiv, pasi siguroi një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Vllaznisë.
Daja pret një përballje të hapur dhe beson se fitues do të jetë ekipi që tregohet më i kujdesshëm në momentet vendimtare.
“E dimë se edhe Partizani është në një moment të mirë dhe vjen pas fitores në Shkodër ndaj Vllaznisë. Besoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe do të fitojë skuadra që do të bëjë më pak gabime. Sigurisht, shpresojmë të jemi ne”, u shpreh trajneri i Dinamos.
DAJA KËRKON EKUILIBËR
Një nga shqetësimet kryesore të trajnerit dinamovit është shpejtësia e Partizanit në kundërsulm. Sipas tij, Dinamo duhet të ruajë ekuilibrin gjatë gjithë ndeshjes dhe të mos i lejojë të kuqtë të shfrytëzojnë tranzicionin ofensiv.
“Duhet të jemi gjatë gjithë kohës në ekuilibër. Partizani ka tranzicion pozitiv dhe kundërsulm të rrezikshëm, me lojtarë të shpejtë. Duhet t’ia heqim këtë armë të fortë kundërshtarit”, shpjegoi Daja.
RIKTHEHEN DITA DHE QARDAKU
Lajme të mira për Dinamon vijnë edhe nga infermieria. Kapiteni Bruno Dita ka lënë pas dëmtimin, ndërsa Klevis Qardaku është përsëri i gatshëm pas përfundimit të pezullimit dhe rikuperimit nga problemi fizik.
“Kemi të gjithë kontingjentin në dispozicion për të përballuar derbin. Na është rikthyer kapiteni Dita, i cili është një vlerë e shtuar për ekipin. Kemi edhe Qardakun, që ka shlyer pezullimin dhe ka lënë pas dëmtimin. Gjatë javës kemi punuar mirë dhe skuadra është gati”, konfirmoi tekniku.
ORARI DHE FUSHA SINTETIKE
Derbi do të luhet në orën 16:00 dhe në fushën sintetike të Stadiumit të Vorës. Daja do të kishte preferuar që një përballje e tillë të zhvillohej në mbrëmje dhe në një terren me bar natyral, por beson se stadiumi ofron kushte të mira për të luajtur futboll.
“Nëse ndeshja do të zhvillohej në mbrëmje, me ndriçim dhe në një fushë me bar natyral, do t’u shërbente të dyja skuadrave për të dhënë maksimumin. Megjithatë, Stadiumi i Vorës është një stadium ku mund të performosh shumë mirë”, përfundoi Ilir Daja.
Dinamo City paraqitet në derbi me grupin e plotë dhe me besimin se mund të vazhdojë rezultatet pozitive. Përballë do të ketë një Partizan që kërkon vazhdimësi pas suksesit në Shkodër.
Partizani–Dinamo City Stadiumi i Vorës E shtunë | Ora 16:00