EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Derbi: Partizani me mungesa, por kërkon fitoren! Football

Derbi: Partizani me mungesa, por kërkon fitoren!

By Elite Sport Vizion ·

Partizani shkon në derbin ndaj Tiranës me probleme në organikë, por me objektivin e qartë për të fituar. Në prag të përballjes së 11 tetorit, në orën 18:30 në stadiumin “Air Albania”, trajneri Florin Bratu theksoi se skuadra duhet të japë maksimumin për tifozët e kuq. Për teknikun, kjo do të jetë përballja e parë në derbin e kryeqytetit. Ai e kupton peshën e kësaj ndeshjeje dhe pritshmëritë e tifozëve, të cilët kërkojnë fitoren ndaj rivalit historik. “E di që është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja e vitit për tifozët tanë. Ne duhet të luftojmë për ta, sepse do të jenë të shumtë në stadium”, deklaroi Bratu. Pauza e kampionatit, sipas trajnerit, i ka dhënë Partizanit kohë për të punuar mbi problemet e shfaqura në takimet e mëparshme. Tani ai pret që përmirësimet të pasqyrohen në fushë. “Këto javë kanë qenë mjaft të rëndësishme për ne, sepse kemi pasur kohë të punojmë dhe të përmirësojmë gjërat që nuk kanë funksionuar më parë. Tani është koha që lojtarët të tregojnë gjëra të mira”, u shpreh ai. Megjithatë, shqetësimet për gjendjen e futbollistëve mbeten. Preka dhe Malaj vazhdojnë të jenë të dëmtuar, ndërsa Pasagiç ka qenë i sëmurë gjatë javës dhe rikuperimi i tij është ende në pritje. Lajmi pozitiv vjen nga Xhuljano Skuka, i cili është stërvitur normalisht me skuadrën pas dëmtimit. Bratu nuk e fsheh presionin që shoqëron një ndeshje të tillë, por e konsideron atë pjesë të përgjegjësisë së drejtimit të Partizanit. “Është normale të ketë presion. Partizani është një skuadër e madhe dhe e di që gjithçka varet nga rezultati. E rëndësishme për ne është të japim maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen”, theksoi trajneri. Për “Demat e Kuq”, derbi është mundësia për të treguar se puna gjatë pauzës ka sjellë ndryshim. Mungesat e vështirësojnë përgatitjen, ndërsa Bratu kërkon që skuadra t’u përgjigjet pritshmërive të tifozëve me përkushtim dhe fitore.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027