Football
Dinamo City, kampionati hapet me Vorën. "Nëndetësja" ankorohet në Elbasan
Është hedhur sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti i edicionit të 88-të të Abissnet Superiore, kampionat që do të nisë më 22 gusht 2026. Për Dinamo City, sezoni i ri do të fillojë me një sfidë si skuadër pritëse ndaj Vorës, por jo në Tiranë.
Klubi blu do të zhvendoset edhe një herë në "Elbasan Arena", stadium që do të shërbejë si shtëpia e përkohshme e Dinamos në javët e para të kampionatit.
Pse largohet Dinamo nga Tirana?
Vendimi i klubit është diktuar nga dy arsye kryesore.
E para lidhet me faktin se stadiumi "Air Albania" nuk është ende gati për të pritur ndeshjet e kampionatit. Arsyeja e dytë është ekonomike, pasi organizimi i takimeve në impiantin kombëtar ka kosto shumë të larta për klubin.
Në këto kushte, drejtuesit e Dinamos kanë zgjedhur "Elbasan Arena" si alternativën më të përshtatshme, falë kushteve të mira dhe kostove më të përballueshme të qirasë.
Megjithatë, ky vendim nuk pritet të mirëpritet nga tifozët blu, të cilët do të detyrohen të udhëtojnë jashtë kryeqytetit për të ndjekur skuadrën e tyre në ndeshjet si pritëse.
Kalendari i fazës së parë
Sipas shortit të publikuar nga FSHF, Dinamo City do të ketë këtë program në nëntë javët e para të kampionatit:
Java 1: Dinamo City – Vora Java 2: Skënderbeu – Dinamo City Java 3: Dinamo City – Elbasani Java 4: Partizani – Dinamo City Java 5: Dinamo City – Laçi Java 6: Vllaznia – Dinamo City Java 7: Dinamo City – Teuta Java 8: Dinamo City – Egnatia Java 9: Tirana – Dinamo City Derbi dhe sfidat për kreun
Kalendari i skuadrës së drejtuar nga Dinamo rezervon disa përballje të forta që në fazën e parë. Në javën e katërt do të luhet derbi ndaj Partizanit, ndërsa në javën e nëntë vjen një tjetër duel i madh me Tiranën.
Gjithashtu, ndeshjet ndaj Vllaznisë, Egnatias dhe Skënderbeut do të jenë prova të rëndësishme për ambiciet e klubit blu në sezonin 2026/27.
Me një skuadër që synon të rikthehet në luftën për trofetë, Dinamo City nis një tjetër kapitull të rëndësishëm të historisë së saj. Edhe pse larg Tiranës, objektivi mbetet i pandryshuar: një sezon konkurrues dhe rikthimi në majën e futbollit shqiptar.