Football
Dinamo kërkon kualifikimin, Daja zbulon sekretin: “Asnjëherë nuk përgatitemi për penallti”
Trajneri i Dinamo Cityt, Ilir Daja, është optimist se skuadra e tij mund të përmbysë humbjen 1-0 të ndeshjes së parë ndaj Audas dhe të sigurojë kualifikimin në turin tjetër të UEFA Conference League.
Në konferencën për shtyp para sfidës vendimtare, tekniku i kryeqytetasve kërkoi ekuilibër, agresivitet dhe më shumë efikasitet përpara portës kundërshtare.
“Duhet patjetër të ruajmë ekuilibrin gjatë gjithë ndeshjes dhe të mos i lëmë hapësira kundërshtarit, sepse Auda ka lojtarë që mund të na dëmtojnë individualisht. Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati, por te manovra jonë dhe ekuilibri në fushë.
Edhe ne i patëm mundësitë tona në ndeshjen e parë dhe rezultati mund të kishte qenë ndryshe. Në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë element gjatë 90 minutave. Pse jo, të pretendojmë edhe kualifikimin, megjithëse përballë kemi një kundërshtar të fortë”, deklaroi Daja.
Trajneri kërkoi nga futbollistët e tij të jenë agresivë, por njëkohësisht të ruajnë organizimin për të shmangur kundërsulmet e rrezikshme të skuadrës letoneze.
“Duhet të jemi agresivë, por të kemi edhe një shkallëzim shumë të mirë, në mënyrë që të mos i japim kundërshtarit mundësi për të realizuar kundërsulme. Në ndeshjen e parë skuadra e bëri lojën e saj dhe ishte në fushë gjatë të gjithë 90 minutave. Duhet të zhvillojmë pothuajse të njëjtën lojë, por të jemi më efikasë përpara portës. Rastet që krijojmë duhet t’i shfrytëzojmë më mirë”, theksoi ai.
Për Ilir Dajën, kjo do të jetë ndeshja e 66-të në kompeticionet europiane. Tekniku numëron gjithashtu 16 kualifikime, por mendon se në fushë protagonistët kryesorë do të jenë futbollistët.
“Nesër do të jetë ndeshja ime e 66-të në kompeticionet europiane dhe kam arritur 16 kualifikime. Megjithatë, eksperienca ime kalon në plan të dytë, sepse protagonistët kryesorë janë gjithmonë lojtarët dhe ajo që do të bëjnë në fushë. Eksperienca do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhjet e duhura në situata të ndryshme të lojës”, u shpreh trajneri.
Daja zbuloi gjithashtu se gjatë karrierës së tij nuk i ka përgatitur asnjëherë posaçërisht skuadrat për goditjet e penalltive.
“Gjatë gjithë karrierës sime kemi pasur raste kur jemi kualifikuar edhe me penallti, por asnjëherë nuk i kam praktikuar ato përpara ndeshjes. Është tjetër gjë t’i godasësh në stërvitje dhe tjetër gjë në një ndeshje, sepse ngarkesa emocionale është krejtësisht ndryshe.
Gjithmonë u kam dhënë përparësi lojtarëve që marrin guximin për të goditur. Ai që merr përsipër penalltinë mendoj se është më i përgatitur psikologjikisht sesa një futbollist që është me dy mendje”, përfundoi Ilir Daja.