Opinion
Disa njerëz nuk harrohen kurrë…
Fatmir Mneri, miku dhe mësuesi i një brezi gazetarësh sportive
Ka njerëz që nuk i njeh vetëm nga ajo që kanë shkruar, por edhe nga ajo që kanë lënë tek njerëzit me të cilët kanë punuar. Sot pata kënaqësinë të jem pranë mikut dhe kolegut tim Fatmir Mneri, në momentin kur ai i dhuroi Bibliotekës Publike”Sami Leka “, të Librazhdit një koleksion librash sportivë, të përkthyer prej tij. Një kontribut i çmuar për lexuesit, sportdashësit dhe të rinjtë që duan të njohin më mirë historinë dhe filozofinë e futbollit botëror. Mes këtyre botimeve gjen emra të mëdhenj si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Gianluca Vialli, Arrigo Sacchi, José Mourinho, Pep Guardiola, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte, të sjellë në gjuhën shqipe me një përkthim cilësor dhe me një përkushtim të admirueshëm. Por ajo që e bën edhe më të veçantë punën e Fatmirit është fakti se këto përkthime janë realizuar në periudha jo të lehta të jetës së tij. Ai zgjodhi të mos dorëzohej përballë vështirësive, por t'i kthente ato në punë, kulturë dhe dije. Ky është një shembull se si pasioni mund të triumfojë mbi çdo pengesë. Për mua, ky takim solli edhe shumë kujtime. 31 vite më parë, nisëm së bashku rrugëtimin në gazetën "Sport Ekspres", ku Fatmir Mneri ishte kryeredaktor. Për brezin tonë, ajo gazetë nuk ishte thjesht një redaksi; ishte shkolla e gazetarisë sportive shqiptare. Fatmiri nuk ishte vetëm shefi ynë. Ai ishte mësuesi që na mësoi të respektonim lajmin, të kërkonim të vërtetën, të shkruanim me përgjegjësi dhe të mos bënim kurrë kompromis me profesionalizmin. Ishte një edukator, një këshilltar dhe, mbi të gjitha, një vëlla i madh, sic do ta etiketonte kolegu yne nga Kavaja,Fatmir Efica,që dinte të të mbështeste, të të inkurajonte dhe të të jepte besim. Sot, duke e parë mes librave të tij, kuptova se vitet kalojnë, por njerëzit që lënë gjurmë mbeten gjithmonë të njëjtë: të përkushtuar, të thjeshtë dhe në shërbim të dijes. Faleminderit, Fatmir, për gjithçka i ke dhënë gazetarisë sportive shqiptare, për përkthimet që po pasurojnë bibliotekat tona dhe për mësimet që vazhdojnë të na shoqërojnë edhe sot. Librazhdi fitoi disa libra të vyer. Ne fituam edhe një arsye më shumë për të qenë krenarë për një gazetar, përkthyes dhe intelektual që vazhdon të kontribuojë me të njëjtin pasion si dikur.