Football
Egnatia kërkon historinë: Synimi janë grupet e Europa League
Trajneri Nevil Dede beson te kualifikimi, ndërsa kapiteni Albano Aleksi thekson se skuadra ka punuar për këtë objektiv që nga dita e parë
Egnatia është vetëm dy ndeshje larg një arritjeje historike. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me Lillestrøm-in në fazën “play-off” të UEFA Europa League, me synimin për t’u kualifikuar në fazën e ligës.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, duke nisur në orën 19:00. Për skuadrën shqiptare, kjo përballje përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e klubit.
Nevil Dede: Nuk kemi ardhur deri këtu për shëtitje
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Nevil Dede e bëri të qartë se Egnatia nuk kënaqet vetëm me arritjen në “play-off”. Objektivi tashmë është kualifikimi në fazën e ligës të Europa League.
“Objektivat janë të mëdha. Presidenti, unë dhe djemtë ishim të bindur se duhej të shkonim patjetër në grupet e Conference League, sepse e meritonim. Tani na është shfaqur përpara një objektiv edhe më i madh: Europa League. Ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për klubin dhe për të gjithë futbollin shqiptar”, deklaroi Dede.
Trajneri i kampionëve theksoi se eksperienca e fituar në Europë i ka ndihmuar lojtarët ta kuptojnë më mirë forcën dhe potencialin e tyre.
“Ne e dimë se çfarë mund të bëjmë. E njohim forcën tonë dhe kjo na bën që ta konsiderojmë si objektiv edhe kalimin e këtij turi. Jemi të bindur se mund të bëjmë akoma më mirë. Djemtë kanë shumë kapacitete dhe tani po e kuptojnë realisht forcën që kanë.”
“Jemi eliminuar nga Champions pa humbur”
Nevil Dede kujtoi gjithashtu rrugëtimin europian të Egnatias, duke nënvizuar se skuadra u largua nga Champions League vetëm pas goditjeve të penalltive.
“Ne kemi ardhur deri këtu me meritë. Ndoshta meritonim edhe diçka më shumë, sepse nuk jemi pjesë e Champions League vetëm pasi u eliminuam nga pika e bardhë. Nuk humbëm asnjë ndeshje. Nuk kemi arritur në ‘play-off’-in e Europa League për shëtitje. Pretendojmë, me meritën e djemve dhe të klubit, të jemi pjesë e skenës së madhe europiane.”
Mesazhi i Nevil Dedes për Lillestrøm-in është i qartë: në Rrogozhinë do të gjejë përballë një skuadër ambicioze, të organizuar dhe të bindur se mund ta vazhdojë ëndrrën europiane.
Albano Aleksi: Kemi punuar që nga dita e parë
Kapiteni i Egnatias, Albano Aleksi, theksoi se kjo arritje është fryt i punës, sakrificës dhe urisë së treguar nga skuadra që në nisje të sezonit.
“E kemi treguar që nga dita e parë. Nuk është e rastësishme që sot ndodhemi këtu. Kemi qenë të uritur për këtë sukses dhe besoj se kemi bërë maksimumin për të realizuar objektivat e klubit dhe të ekipit. Jemi këtu me meritë dhe do të vazhdojmë të luftojmë”, deklaroi kapiteni.
Eksperienca e Albanos dhe e lojtarëve që kanë përjetuar sfidat europiane të sezoneve të fundit konsiderohet një nga armët më të forta të kampionëve të Shqipërisë.
Bjorni Duka, përforcimi i ri i Egnatias
Në prag të sfidës kundër Lillestrøm-it, Egnatia ka njoftuar gjithashtu arritjen e marrëveshjes me Bjorni Dukën.
“Mirë se vjen në familjen Egnatia, Bjorni Duka! Një kapitull i ri nis sot për ty, me një fanellë të re, një familje të re dhe një sfidë të madhe përpara”, shkroi klubi në njoftimin zyrtar.
Afrimi i Dukës shton alternativat në dispozicion të Nevil Dedes, në një moment kur Egnatia po lufton për objektivin më të rëndësishëm europian në historinë e saj.
Gjyqtarë francezë në Rrogozhinë
UEFA ia ka besuar drejtimin e ndeshjes një trupe gjyqtarësh nga Franca. Kryesor do të jetë Willy Delajod, i ndihmuar nga Erwan Finjean dhe Valentin Evrard. Gjyqtar i katërt është caktuar Jérémy Stinat.
Në sistemin VAR do të jetë Mathieu Vernice, ndërsa ndihmës i VAR-it do të jetë Benoît Millot.
Ndeshja: Egnatia–Lillestrøm Kompeticioni: UEFA Europa League, “play-off”, ndeshja e parë Stadiumi: Arena Egnatia, Rrogozhinë Ora: 19:00 Gjyqtari: Willy Delajod, Francë
Egnatia nuk kërkon vetëm ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë. Kampionët duan ta kapërcejnë edhe pengesën norvegjeze dhe të sigurojnë një vend në fazën e ligës të Europa League. Rrogozhina përgatitet për një mbrëmje që mund të hyjë në historinë e futbollit shqiptar.