EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Egnatia ndalet nga traversa, gjithçka vendoset në Norvegji Football

Egnatia ndalet nga traversa, gjithçka vendoset në Norvegji

Kampionët e Shqipërisë barazojnë 0-0 me Lillestrøm në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Europa LeaguBitri: “Me guxim dhe besim mund t’ia dalim”e. Gruda godet traversën, ndërsa Nevil Dede deklaron: “Jemi në lojë për gjithçka”

By Elite Sport Vizion ·

Egnatia dhe Lillestrøm kanë barazuar pa gola në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të UEFA Europa League, të zhvilluar në një stadium të mbushur plot në Rrogozhinë.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede zhvilloi një paraqitje të guximshme përballë kundërshtarit norvegjez, por nuk arriti ta shfrytëzonte faktorin fushë. Mundësia më e mirë e takimit i përkiti Ildi Grudës, goditja e të cilit u ndal nga traversa në pjesën e dytë.

Ndeshja u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Lillestrøm shënon, por ndërhyn VAR-i

Miqtë e nisën më mirë takimin dhe e dërguan topin në rrjetë me Ruben Gabrielsen. Megjithatë, pas verifikimit nga VAR-i, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Skuadra norvegjeze ushtroi presion të lartë gjatë minutave të para, duke e vënë në vështirësi Egnatian në ndërtimin e aksioneve nga prapavija.

Me kalimin e minutave, kampionët e Shqipërisë fituan terren dhe filluan të shfaqeshin më shpesh në zonën kundërshtare. Adjessa Daniel dhe Alessandro Albanese kërkuan golin, por pa arritur ta mposhtnin portierin Pontus Dahlberg. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0.

Traversa ndal Grudën

Egnatia u paraqit më kërkuese në pjesën e dytë dhe iu afrua ndjeshëm golit me Grudën. Sulmuesi goditi bukur, por topi u përplas në traversë, duke i mohuar avantazhin skuadrës rrogozhinase.

Edhe Lillestrøm pati një mundësi të mirë, kur Vá provoi të përfitonte nga një gabim i Mario Dajsinanit, por nuk arriti ta konkretizonte rastin.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati nuk ndryshoi. Takimi u mbyll 0-0, duke e lënë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit përpara ndeshjes së kthimit në Norvegji.

Dede: “Duhet të sillemi si të mëdhenj”

Pas ndeshjes, trajneri i Egnatias, Nevil Dede, vlerësoi përkushtimin e futbollistëve të tij, por pranoi se skuadra mund të kishte bërë më shumë në disa momente.

“Këta djem meritojnë komplimente dhe na kanë bërë krenarë. Më vjen keq që nuk u shpërblyen me një gol, por gjithçka mbetet e hapur. Ne jemi në lojë për gjithçka.”

Tekniku pranoi se Egnatia vuajti gjatë minutave të para dhe nuk arriti t’i shfrytëzonte siç duhet hapësirat e krijuara.

“Nuk jam i kënaqur, sepse në disa momente u treguam naivë. E prisnim që kundërshtari të vinte me një lojë shumë sulmuese. Vuajtëm në 15 minutat e para, por më pas skuadra reagoi.”

Dede kërkoi më shumë pjekuri dhe besim nga lojtarët e tij përpara ndeshjes së kthimit.

“Djemtë duhet të kuptojnë se jemi në arenën e të mëdhenjve dhe duhet të sillemi si të tillë. E kemi kapacitetin për këtë. Kemi shpërdoruar disa mundësi të thjeshta dhe në fund mund të bënim më mirë.”

Trajneri konfirmoi gjithashtu se Jaime është duke kryer një trajtim të specializuar në Spanjë për problemin në gju.

Bitri: “Me guxim dhe besim mund t’ia dalim”

Mbrojtësi Eneo Bitri pranoi se Egnatia nuk e zbatoi plotësisht planin e përgatitur, veçanërisht gjatë minutave të para.

“E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. Në pesë minutat e para gabuam në manovër. Nuk dëshironim të luanim me topa të gjatë, sepse Lillestrøm kishte dy qendërmbrojtës shumë të fortë në lojën ajrore.”

Bitri evidentoi forcën fizike të kundërshtarit dhe konsumin e madh të energjive nga skuadra shqiptare.

“Ata janë një ekip me shumë cilësi dhe fizikisht janë në një nivel shumë të lartë. Loukili dhe Fernando Medeiros vrapojnë shumë, por në këtë ndeshje u është dashur të vrapojnë dyfish.”

Mbrojtësi paralajmëroi se Egnatian e pret një atmosferë e zjarrtë në Norvegji, por shprehu besim te mundësitë e skuadrës.

“E dimë shumë mirë se çfarë na pret atje. Stadiumi do të jetë i mbushur plot dhe i njoh mirë tifozët e Lillestrøm. Nuk kemi presion. Duhet të vrapojmë dyfish dhe, me më shumë guxim e besim, mund t’ia dalim.”

Pas barazimit 0-0 në Rrogozhinë, asnjëra skuadër nuk ka avantazh. Bileta e kualifikimit do të vendoset pas një jave në Norvegji, ku Egnatia do të kërkojë të shkruajë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj europiane.

FootballKF Egnatia.