
Egnatia spektakolare! Gjashtë gola ndaj Petrocub dhe kualifikim historik në Champions League
UEFA Champions League
KF Egnatia ka vulosur një kualifikim historik në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, pasi mposhti me rezultatin spektakolar 6-1 Petrocub të Moldavisë në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Arena Egnatia”.
Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë në Moldavi, kampionët e Shqipërisë zhvilluan një paraqitje të jashtëzakonshme përpara publikut të tyre, duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 7-2 dhe duke mos e vënë për asnjë moment në dyshim kualifikimin.
Egnatia e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte. Vetëm në minutën e 2-të, Eneo Bitri përfitoi pas një goditjeje këndi dhe dërgoi topin në rrjetë për avantazhin 1-0.
Rrogozhinasit vazhduan presionin dhe në minutën e 27-të Bitri iu afrua golit të dytë personal, por goditja e tij me kokë u ndal nga shtylla.
Goli i dytë erdhi në minutën e 31-të, kur Alessandro Albanese realizoi me një goditje të saktë nga distanca. Pak përpara përfundimit të pjesës së parë, presioni i Egnatias solli edhe golin e tretë, me Mihai Plătică që devijoi topin në portën e tij pas një goditjeje këndi.
Me rezultatin 3-0 pas 45 minutave të para, kualifikimi dukej tashmë në duart e kampionëve të Shqipërisë.
Në pjesën e dytë spektakli vazhdoi. Andrey Yago realizoi golin e katërt në minutën e 59-të, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë në “Arena Egnatia”.
Petrocub reagoi në minutën e 63-të, duke shënuar golin e vetëm. Goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së VAR-it u konsiderua i rregullt.
Egnatia nuk u ndal. Në minutën e 84-t, Soumaila Bakayoko finalizoi një aksion model për rezultatin 5-1, ndërsa Ildi Gruda, në minutën e 90-të, vendosi vulën përfundimtare mbi një mbrëmje të paharrueshme, duke shënuar golin e gjashtë.
EGNATIA – PETROCUB 6-1 Rezultati i përgjithshëm: 7-2
Shënuesit: Bitri 2’, Albanese 31’, Plătică 44’ (autogol), Yago 59’, Bakayoko 84’, Gruda 90’ / Petrocub 63’.
Një fitore e madhe dhe një kualifikim me autoritet për kampionët e Shqipërisë, të cilët vazhdojnë aventurën europiane. Në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, Egnatian e pret skuadra sllovene e Celjes.
Nga barazimi 1-1 në Moldavi te triumfi 6-1 në Rrogozhinë: Egnatia fiton me rezultatin e përgjithshëm 7-2 dhe vazhdon ëndrrën në Champions League! Në raundin e ardhshëm, kampionët e Shqipërisë do të përballen me skuadrën sllovene NK Celje, në një tjetër sfidë të rëndësishme europiane, me synimin për të vazhduar rrugëtimin e tyre në kompeticionin më prestigjioz për klube në kontinent.