Football
EKSKLUZIVE/ Kombëtarja shqiptare kontakton Anes Meliqin
FSHF-ja ka kontaktuar mbrojtësin 20-vjeçar të Shkëndijës, i cili ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në të gjitha nivelet e moshave, nga U16 deri tek U21.
Kombëtarja shqiptare po monitoron një tjetër talent shqiptar që aktivizohet jashtë kufijve. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e Shkëndijës së Tetovës, Anes Meliqi, i cili mund të veshë në të ardhmen fanellën kuqezi.
Sipas informacioneve të publikuara nga infOSport.mk, drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë kontaktuar tashmë mbrojtësin 20-vjeçar, për të diskutuar mundësinë e përfaqësimit të Shqipërisë.
Meliqi, i lindur më 9 janar 2006 në Shkup, konsiderohet një nga futbollistët më premtues të brezit të tij. Ai është 1.93 metra i gjatë dhe luan në pozicionin e qendërmbrojtësit.
Futbollisti i Shkëndijës ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, nga U16 deri tek U21. Me ekipin U21 ai numëron 14 paraqitje dhe një gol.
Megjithatë, Meliqi nuk ka debutuar ende me përfaqësuesen e parë të Maqedonisë së Veriut. Kjo e lë të hapur mundësinë që ai të zgjedhë Shqipërinë, nëse plotësohen kriteret e FIFA-s dhe nëse vetë futbollisti pranon projektin e FSHF-së.
Në këtë fazë bëhet fjalë vetëm për një kontakt fillestar dhe jo për një vendim përfundimtar apo marrëveshje zyrtare.
Afrimi i tij do të ishte një investim i rëndësishëm për të ardhmen e mbrojtjes kuqezi. Meliqi ka karakteristika fizike të spikatura, përvojë ndërkombëtare me ekipet e moshave dhe minuta të rëndësishme me Shkëndijën, përfshirë edhe ndeshjet në kompeticionet europiane.
Nëse zgjedh Shqipërinë, shumë shpejt mbrojtësi shkupjan mund të rreshtohet përkrah futbollistëve kuqezi dhe ta këndojë me zemër himnin kombëtar shqiptar.
Profili i Anes Meliqit
Datëlindja: 9 janar 2006 Vendlindja: Shkup Mosha: 20 vjeç Gjatësia: 1.93 metra Pozicioni: Qendërmbrojtës Klubi: Shkëndija e Tetovës Përfaqësuesja aktuale: Maqedonia e Veriut U21 Ndeshje/gola me U21: 14/1 Burimi i raportimit: infOSport.mk