Football
Ervin Petraq Baku: Problemi nuk është festa e Dinamos, por braktisja e sportit shqiptar
Gazetari mbron kontributin e presidentit Ardian Bardhi dhe u kërkon ligjvënësve miratimin urgjent të ligjit të sponsorizimit: “Çlirojeni sportin dhe merrni shembull nga Kosova!”
Videoja, e bërë tashmë virale, tregon pamjet e një festimi privat pas një fitoreje të madhe... Për mua personalisht, nuk duhej të bëhej publike. Po nejse...
Dinamon, që është “Notre Dame” e sportit shqiptar, e asgjësuan. E nxorën në mes të katër rrugëve, e lanë jetime, i morën shtëpinë dhe gjithçka tjetër... Ky zotëri në video e mori dhe, për të dytin vit radhazi, po e çon në sofrën e madhe europiane, në “play-off”-in e Conference League. Faleminderit, zoti Ardian Bardhi!
Nuk është ky problemi, zoti Braçe. Unë mendoj se ky është shembulli që duhet ndjekur. Shembuj të tillë ka jo pak në sportin shqiptar në përgjithësi dhe në futboll në veçanti...
Ju, nga ana juaj — ligjvënësit — duhet të miratoni urgjentisht, një orë e më parë, ligjin e sponsorizimit. Kështu, i gjithë sporti shqiptar do të marrë oksigjenin e nevojshëm.
A e dini se i gjithë buxheti vjetor i sportit shqiptar është vetëm 1.5 milionë euro? Ky është problemi dhe është një problem shumë i madh... Ky buxhet e ka kthyer sportin shqiptar në “lypës”.
Miratojeni urgjentisht ligjin e sponsorizimit! Çlirojeni sportin! Mos shkoni shumë larg: merrni shembull nga Kosova.