
FIFA mbyll debatin: Argjentina ruan vendin në Botërorin 2030, peticioni për përjashtim nuk merret parasysh
FIFA ka konfirmuar se Argjentina do ta ruajë kualifikimin automatik për Kupën e Botës 2030, pavarësisht peticionit masiv në internet që kërkonte përjashtimin e saj nga turnetë e ardhshëm.
Fushata e njohur si “Argentina Out” mori përmasa të jashtëzakonshme pas Botërorit 2026, duke grumbulluar më shumë se 23 milionë firma nga tifozë në rreth 170 vende.
Organizatorët e saj akuzuan FIFA-n dhe gjyqtarët për favorizim të Argjentinës dhe Lionel Messit gjatë turneut. Megjithatë, një peticion publik nuk ka asnjë fuqi juridike apo sportive mbi vendimet e institucionit që drejton futbollin botëror.
Polemikat u intensifikuan pas finales së 19 korrikut 2026 në stadiumin “MetLife”, ku Spanja mundi Argjentinën 1-0 pas kohës shtesë dhe fitoi titullin botëror.
Menjëherë pas vërshëllimës së fundit, futbollistët e dy skuadrave u përfshinë në një përplasje fizike në fushë. FIFA ka caktuar një prokuror disiplinor dhe etik për të analizuar pamjet filmike dhe sjelljen e personave të përfshirë. Reuters
Hetimi mund të sjellë pezullime individuale dhe gjoba për federatat, por përjashtimi i Argjentinës nga Botërori 2030 nuk është pjesë e procedimit.
Leandro Paredes dhe Nahuel Molina janë ndër lojtarët argjentinas të përmendur për përfshirjen e tyre në incident. Në anën spanjolle, pamjet treguan edhe përfshirjen e Eric Garcías dhe Gavit.
Pavarësisht polemikave, statusi i Argjentinës për vitin 2030 mbetet i pandryshuar.
Spanja, Portugalia dhe Maroku janë organizatorët kryesorë të Botërorit të njëqindvjetorit, ndërsa Argjentina, Uruguai dhe Paraguai do të zhvillojnë nga një ndeshje përkujtimore në Amerikën e Jugut.
Të gjashtë vendet organizatore do të kualifikohen automatikisht. Argjentina do ta zhvillojë ndeshjen e saj në Buenos Aires, ndërsa ceremonia kryesore e njëqindvjetorit do të mbahet në Montevideo, qyteti ku nisi historia e Kupës së Botës më 1930. FIFA
Ndërkohë, tifozët argjentinas kanë reaguar me një kundërpeticion, duke kërkuar rishikimin dhe përsëritjen e finales ndaj Spanjës. Ata kundërshtojnë aksionin që solli golin vendimtar të Ferran Torresit në minutën e 106-të.
Megjithatë, edhe mundësia që FIFA të urdhërojë përsëritjen e finales konsiderohet praktikisht zero.
Në këtë mënyrë, beteja e peticioneve vazhdon në rrjetet sociale, por vendimet sportive mbeten të pandryshuara: Spanja është kampione e botës, ndërsa Argjentina e ka të garantuar pjesëmarrjen në Botërorin 2030.