Football
Fiorentina kërkon Edon Zhegrovën, në tryezë huazimi me të drejtë blerjeje
Fiorentina po ndjek me interes situatën e Edon Zhegrovës dhe e konsideron sulmuesin e krahut të Juventusit si një nga objektivat për repartin ofensiv të trajnerit Fabio Grosso.
Sipas raportimeve të fundit në Itali, klubi nga Firence po shqyrton mundësinë e transferimit të futbollistit të Kosovës në formën e huazimit me të drejtë blerjeje.
Kjo formulë është e ngjashme me atë që Fiorentina po diskuton me Juventusin edhe për mbrojtësin portugez João Mário.
Zhegrova ka kontratë me Juventusin deri më 30 qershor 2030 dhe përfiton rreth 2.5 milionë euro neto në sezon. Paga e tij konsiderohet e përballueshme për buxhetin e klubit vjollcë.
Juventusi e bleu sulmuesin nga Lille për 14.3 milionë euro, plus 1.2 milionë euro shpenzime shtesë dhe deri në tre milionë euro bonuse. Për të shmangur regjistrimin e një humbjeje kapitale, bardhezinjtë kërkojnë të sigurojnë të paktën rreth 11.4 milionë euro nga kartoni i tij.
Sezoni i parë i Zhegrovës në Torino nuk shkoi sipas pritshmërive. Pasojat e dëmtimit në muskujt aduktorë ndikuan në gjendjen e tij fizike dhe ia vështirësuan sigurimin e minutave të rregullta.
Futbollisti u aktivizua kryesisht si zëvendësues, duke grumbulluar më pak se 550 minuta në të gjitha kompeticionet. Ai e mbylli sezonin pa shënuar gol dhe pa regjistruar asist.
Për këtë arsye, Zhegrova konsiderohet një nga lojtarët që mund të largohet nga Juventusi gjatë merkatos së verës.
Fiorentina është një nga skuadrat më konkrete, por nuk është e vetmja që ka shfaqur interes. Emri i tij është lidhur gjithashtu me Trabzonsporin dhe klube të tjera të kampionatit turk, ndërsa më herët janë përmendur edhe Evertoni dhe Newcastle Unitedi.
Realizimi i marrëveshjes do të varet nga qëndrimi përfundimtar i Juventusit. Fiorentina kërkon huazim me të drejtë blerjeje, ndërsa klubi torinez mund të këmbëngulë për një shitje përfundimtare ose për një huazim me detyrim blerjeje.
Bisedimet janë ende në fazën paraprake dhe deri tani nuk është paraqitur ndonjë ofertë zyrtare. Megjithatë, pista Fiorentina po merr formë dhe mund të bëhet një mundësi konkrete për vazhdimin e karrierës së yllit të Kosovës.