
FITORE HISTORIKE E MALISHEVËS, GJIGANTI SKOCEZ GJUNJËZOHET NË PRISHTINË
Heroi i mbrëmjes, Kreshnik Uka, theksoi se suksesi ishte rezultat i besimit dhe punës së të gjithë skuadrës.
KF Malisheva ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e saj, duke mposhtur 2-0 skuadrën e njohur skoceze Hibernian, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Në një atmosferë të jashtëzakonshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra kosovare zhvilloi një ndeshje të madhe, të mbështetur te organizimi, intensiteti dhe kundërsulmet e shpejta.
Malisheva e nisi me besim dhe arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 21-të. Pas një aksioni të bukur nga krahu i majtë dhe një topi të dërguar në zonë, Kreshnik Uka u gjend në pozicionin e duhur dhe realizoi me zgjuarsi nga afërsia.
Hibernian u përpoq të reagonte dhe krijoi disa mundësi të rrezikshme. Në fillimin e ndeshjes, goditja me kokë e Owen Elding u largua nga vija fatale prej Dreni Kryeziut, ndërsa në pjesën e dytë Nathan Lowe goditi shtyllën dhe humbi një tjetër rast të mirë.
Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Thomas Brdarić qëndroi e fortë, e disiplinuar dhe nuk e humbi për asnjë moment përqendrimin.
Kur skocezët hodhën më shumë forca në sulm për të kërkuar barazimin, Malisheva dha goditjen përfundimtare. Në minutën e parë shtesë, vendasit zhvilluan një kundërsulm të shpejtë në qendër. Kreshnik Uka këtë herë mori rolin e asistuesit, ndërsa Valmir Nafiu realizoi me qetësi golin e rezultatit përfundimtar 2-0.
Ky ishte një tjetër sukses i madh europian për Malishevën, e cila në raundin e kaluar eliminoi Vllazninë me rezultatin e përgjithshëm 6-2. Pas humbjes 2-1 në Shkodër, skuadra kosovare fitoi në mënyrë të jashtëzakonshme 5-0 në ndeshjen e kthimit.
Trajneri Thomas Brdarić kishte paralajmëruar se Malisheva nuk kishte hyrë në Europë vetëm për të marrë pjesë. Futbollistët e tij e vërtetuan këtë në fushë, duke i shkaktuar një humbje të rëndë një kundërshtari me shumë më tepër traditë dhe përvojë ndërkombëtare.
Pas takimit, trajneri i Hibernianit, David Gray, e cilësoi paraqitjen e skuadrës së tij si të papranueshme.
“Paraqitja jonë ishte shumë poshtë nivelit të kërkuar. Nuk do të kërkoj asnjë justifikim. Është përgjegjësia ime ta rregulloj këtë situatë. Malisheva luajti pikërisht me intensitetin dhe shpejtësinë në kundërsulm që prisnim”, deklaroi Gray.
Ai kërkoi gjithashtu falje ndaj tifozëve skocezë që kishin udhëtuar drejt Kosovës, duke pranuar se asnjë prej futbollistëve të tij nuk ishte paraqitur në nivelin më të mirë.
Heroi i mbrëmjes, Kreshnik Uka, theksoi se suksesi ishte rezultat i besimit dhe punës së të gjithë skuadrës.
“Kemi besuar te vetja që nga dita e parë dhe sonte treguam se mund të përballemi me çdo kundërshtar. Fitorja 2-0 është shumë e rëndësishme, por puna nuk ka përfunduar. Në Skoci na pret një ndeshje edhe më e vështirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më e rëndësishmja është fitorja e skuadrës. Tani duhet ta mbyllim punën në ndeshjen e kthimit”, u shpreh Uka.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Easter Road”. Malisheva do të udhëtojë drejt Edinburgut me një epërsi të rëndësishme prej dy golash, por edhe me bindjen se mund të realizojë arritjen më të madhe në historinë e klubit.
Malisheva–Hibernian 2-0
Golashënues: Kreshnik Uka 21’, Valmir Nafiu 90+1’ Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë Shikues: 2,873 Gjytar: Romain Lissorgue (Francë)