
FITOREEEEEE! SHQIPËRIA KUALIFIKOHET NË FAZËN E GRUPEVE TË CEV EUROPEAN LEAGUE 2026
Vajzat kuqezi shkruajnë histori në Odense, mposhtin Lituaninë 3-2 dhe sigurojnë kualifikimin e shumëpritur
Odense, Danimarkë – Kombëtarja e Femrave e Shqipërisë në volejboll ka arritur një nga sukseset më të rëndësishme të viteve të fundit, duke mposhtur Lituaninë me rezultatin dramatik 3-2 dhe duke siguruar kualifikimin në Fazën e Grupeve të CEV European League 2026.
Në një përballje emocionuese, të mbushur me tension dhe rivalitet deri në pikën e fundit, vajzat kuqezi treguan karakter të jashtëzakonshëm, forcë mentale dhe shpirt të vërtetë gare. Shqipëria arriti të përmbysë momentet e vështira të ndeshjes dhe të dalë triumfuese në një duel që mbajti të mbërthyer tifozët deri në fund.
Skuadra e drejtuar nga stafi teknik shqiptar zhvilloi një paraqitje të nivelit të lartë, duke treguar se progresi i volejbollit të femrave në vend po jep frytet e tij. Fitorja ndaj një kundërshtari të fortë si Lituania vulosi objektivin kryesor të fazës paraeliminatore dhe i hapi Shqipërisë dyert e një etape edhe më sfiduese.
Me këtë sukses, Shqipëria e mbyll Fazën Paraeliminatore në vendin e dytë me 6 pikë, ndërsa kreu i grupit i takoi përfaqësueses së Lituanisë. Megjithatë, objektivi më i rëndësishëm u arrit: kualifikimi mes skuadrave më të mira të kompeticionit.
Ky rezultat përfaqëson një moment krenarie për sportin shqiptar dhe një dëshmi të punës së palodhur të volejbollisteve, trajnerëve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në zhvillimin e këtij sporti.
Kalendari i Fazës së Grupeve – CEV European League 2026
Xhiro 1 – Finlandë (5-7 Qershor 2026)
Finlanda Zvicra Shqipëria
Xhiro 2 – Rumani (12-14 Qershor 2026)
Rumania Mali i Zi Shqipëria
Xhiro 3 – Shqipëri (19-21 Qershor 2026)
Shqipëria Suedia Austria
Tashmë sfidat bëhen edhe më të mëdha, por edhe ëndrra më e bukur. Kombëtarja shqiptare do të kërkojë të vazhdojë surprizën në Fazën e Grupeve dhe të përfaqësojë denjësisht ngjyrat kuqezi në arenën evropiane.
Urime vajzave të Kombëtares, stafit teknik dhe gjithë familjes së volejbollit shqiptar për këtë arritje historike!
Forca Shqipëri! Udhëtimi vazhdon!