Football
Gjelat këndojnë me Zidanin, Olise është magjik!
Franca e Zinédine Zidane vazhdon të fitojë dhe të bindë. Përballë një Belgjike luftarake, që e mbylli pjesën e parë në avantazh, “Gjelat” gjetën forcën për të përmbysur takimin. Désiré Doué, Rayan Cherki dhe Michael Olise ndryshuan rrjedhën e ndeshjes, duke treguar se talenti dhe alternativa të shumta janë armët e mëdha të kësaj France.
Belgjika e Mark van Bommelit e vuri në vështirësi skuadrën vendase për një pjesë të mirë të përballjes në “Stade de France”. Organizimi, përkushtimi dhe mbrojtja e tërhequr ua kufizuan hapësirat francezëve, të cilëve u mungoi shpejtësia në metrat e fundit. Por Franca ruajti durimin dhe në pjesën e dytë gjeti përgjigjen.
Olise, magjia që vazhdon
Michael Olise është kthyer në një nga protagonistët e kësaj ecurie. Sulmuesi ka shënuar në tri paraqitjet e fundit në Nations League, duke bashkuar elegancën me efikasitetin. Kur loja kërkon një shkëndijë, ai di ta ndezë. Dy gola dhe një asist në vetëm 30 minuta! Michael Olise ndezi stadiumin, ndërsa tifozët kërkonin me brohoritje që ylli francez të fitonte Topin e Artë. 🏆
Sipas statistikave të postimit, Olise ka regjistruar 12 gola dhe 5 asiste në 11 ndeshje për klubin dhe Kombëtaren këtë sezon. Që nga fillimi i sezonit 2025/26, bilanci i tij ka arritur në 39 gola dhe 39 asiste! 🤯
Elegancë, kreativitet dhe një instinkt i jashtëzakonshëm për golin. Michael Olise po e kthen çdo paraqitje në spektakël! 🔥
“Mendoj se luajtëm mirë në fund. Pjesa e parë ishte e vështirë. Kundër një mbrojtjeje të tërhequr është gjithmonë e vështirë, por vazhduam të këmbëngulnim dhe në fund gjithçka shkoi mirë”, deklaroi Olise për TF1.
Ai foli edhe për ndikimin e trajnerit: “Zidane sjell ide dhe ne i ndjekim. E kemi bërë mirë në katër ndeshjet dhe do të vazhdojmë kështu. Jam gjithmonë i lumtur të luaj me Kombëtaren franceze”.
Zidane: Dhjetë pikë që burojnë nga puna dhe mentaliteti
Franca ka grumbulluar dhjetë pikë në katër ndeshje, por për Zidanin bilanci pozitiv shkon përtej rezultateve.
“Ka qenë një ecuri shumë pozitive. Përtej rezultateve, ato dhjetë pikë janë fryt i mentalitetit dhe i punës së bërë me lojtarët”, u shpreh trajneri për UEFA-n.
Ai theksoi se goli i parë ishte vendimtar për të rifituar kontrollin e takimit, ndërsa vlerësoi edhe atmosferën brenda skuadrës: “Ky është një grup që shkon shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të punuar dhe diçka shumë pozitive për ne”.
Shifrat e përforcojnë këtë besim: Franca është e pamposhtur në tetë ndeshje radhazi të fazës së grupeve të Nations League dhe ka fituar shtatë përballjet e fundit ndaj Belgjikës.
Belgjika zhgënjehet, por mbetet në garë
Në kampin belg, Roméo Lavia nuk e fshehu zhgënjimin, por kërkoi që skuadra të ruajë ekuilibrin në gjykim.
“Punuan shumë të gjithë këtë mbrëmje. Ka disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë përpara ndeshjeve të ardhshme”, deklaroi mesfushori, duke vlerësuar bashkimin e grupit në fushë.
Sipas tij, Belgjika duhet ta tregojë këtë përkushtim gjatë të gjithë 90 minutave. “Kemi ende dy ndeshje dhe fatin tonë e kemi në duart tona. Jemi të zhgënjyer, por nuk duhet të përqendrohemi vetëm te anët negative”, shtoi Lavia.
Më 12 nëntor, Franca do të përballet me Italinë, ndërsa Belgjika do të udhëtojë drejt Turqisë. Gara vazhdon, por Franca shkon në sfidën e ardhshme me besim, një grup të bashkuar dhe një Olise që po shkëlqen.
Me Zidanin në stol, gjelat këndojnë. Me Olisen në fushë, kënga ka edhe magji.