Football
Guardiola i thotë “jo” Italisë, Andrea Pirlo bëhet kandidati kryesor
Guardiola kishte vendosur të merrte një vit pushim. Ai dëshiron të shkëputet përkohësisht nga futbolli dhe të kalojë më shumë kohë me familjen, veçanërisht me fëmijët dhe babanë e tij 95-vjeçar.
Pep Guardiola ka refuzuar zyrtarisht ofertën për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë. Ish-trajneri i Manchester Cityt ia komunikoi vendimin përfundimtar gjatë natës Paolo Maldinit dhe Leonardos, drejtuesit përgjegjës për projektin e ri të “Club Italia”.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport dhe Sky Sport Italia, tekniku katalanas është shprehur i nderuar nga interesimi i Federatës Italiane, por nuk ndihet gati për t’u rikthyer menjëherë në stol.
“Faleminderit, ndihem i nderuar, por në këtë moment nuk e ndiej veten gati”, mësohet t’i ketë thënë Guardiola Maldinit.
Arsyet e refuzimit
Pas largimit nga Manchester City, ku punoi për dhjetë sezone tepër intensive, Guardiola kishte vendosur të merrte një vit pushim. Ai dëshiron të shkëputet përkohësisht nga futbolli dhe të kalojë më shumë kohë me familjen, veçanërisht me fëmijët dhe babanë e tij 95-vjeçar.
Një tjetër pengesë lidhej me mënyrën e punës. Guardiola e konsideron veten “të sëmurë pas futbollit” dhe nuk është një trajner që delegon plotësisht përgjegjësitë te bashkëpunëtorët.
“Nëse e bëj, e bëj 100 për qind”, mësohet të ketë deklaruar ai gjatë negociatave.
Tekniku katalanas ka respekt të madh për Italinë, një vend që e njeh dhe e vlerëson, si dhe për Paolo Maldinin. Projekti i paraqitur parashikonte një rindërtim të thellë të futbollit italian në një periudhë tetë deri në dhjetëvjeçare.
Megjithatë, Guardiola dëshiron fillimisht të pushojë dhe të rifitojë energjitë përpara se të nisë një aventurë të re.
Andrea Pirlo, favoriti për stolin
Pas refuzimit të Guardiolës, drejtuesit e futbollit italian janë detyruar të aktivizojnë planin B. Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Kombëtares është Andrea Pirlo.
Ish-mesfushori i famshëm italian konsiderohet nga Maldini dhe Leonardo si profili i duhur për ndërtimin e një filozofie të re loje dhe për nisjen e një projekti afatmesëm e afatgjatë.
Pirlo aktualisht drejton United FC në Dubai, por mundësia për të udhëhequr Italinë mund ta bindë të rikthehet në vendlindje.
Në listën e alternativave mbeten edhe Antonio Conte dhe Roberto Mancini, por për momentin ata konsiderohen më të distancuar. Tashmë priten lëvizjet e ardhshme të drejtuesve italianë dhe negociatat konkrete për trajnerin e ri të “Të Kaltërve”.