EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Hans Erik vlerëson Egnatian: “Shumë e rrezikshme në sulm, duhet të jemi të kujdesshëm” Football

Hans Erik vlerëson Egnatian: “Shumë e rrezikshme në sulm, duhet të jemi të kujdesshëm”

Trajneri i Lillestrøm paralajmëron skuadrën e tij për cilësitë e kampionëve të Shqipërisë, por kërkon rezultat pozitiv në Rrogozhinë.

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Trajneri i Lillestrøm, Hans Erik Ødegaard, ka folur për mediat në prag të përballjes europiane kundër Egnatias.

Ndeshja do të luhet nesër, duke nisur nga ora 19:00, në stadiumin “Egnatia Arena”. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Tekniku norvegjez vlerësoi maksimalisht kampionët e Shqipërisë, duke e cilësuar Egnatian si një skuadër të fortë dhe veçanërisht të rrezikshme në fazën sulmuese.

“Egnatia është një ekip i mirë, i rrezikshëm në sulm dhe shumë i fortë në kundërsulme”, deklaroi Ødegaard në konferencën për shtyp.

Sipas trajnerit të Lillestrøm, skuadra rrogozhinase di ta hapë mirë lojën në të dyja krahët dhe të dërgojë shumë futbollistë brenda zonës kundërshtare.

“Mendoj se janë të fortë edhe kur e hapin lojën në krahë. Ata arrijnë të dërgojnë shumë lojtarë në zonë për të shfrytëzuar krosimet”, shtoi tekniku norvegjez.

Ødegaard nënvizoi gjithashtu cilësitë individuale të futbollistëve të Egnatias, të cilët mund të krijojnë rrezik në çdo moment të ndeshjes.

“Kanë disa lojtarë individualisht shumë cilësorë, të cilët mund të na krijojnë probleme. Për këtë arsye, duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre”, theksoi ai.

Trajneri i Lillestrøm konfirmoi se ka studiuar paraqitjet e Egnatias në Kupat e Europës. Ai ka evidentuar edhe ndryshimin në mënyrën se si skuadra shqiptare interpreton ndeshjet në shtëpi dhe ato në transfertë.

“Po, i kam parë ndeshjet e tyre në Europë. Egnatia është një skuadër që luan ndryshe në shtëpi dhe ndryshe në transfertë, por ne e dimë se çfarë duhet të presim nga kundërshtari”, u shpreh Ødegaard.

Pavarësisht respektit të madh për kampionët e Shqipërisë, Lillestrøm ka mbërritur në Rrogozhinë me objektivin për të marrë një rezultat pozitiv.

Në krahun tjetër, Egnatia do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Përballja premton ritëm, duele të forta dhe një betejë të hapur mes dy skuadrave që synojnë vazhdimin e aventurës europiane.

FootballUEFA Europa League