Football
Hysaj: “Synojmë vendin e parë. Nuk është ende momenti të kthehem në kampionatin shqiptar”
Elseid Hysaj beson se Shqipëria ka cilësinë për të përfunduar e para në grupin e Ligës së Kombeve. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së tretë, ndaj Finlandës, mbrojtësi kuqezi foli për objektivat e Kombëtares, mbështetjen për lojtarët e rinj dhe të ardhmen e tij në nivel klubesh. Hysaj e konsideron grupin të fortë, me Finlandën dhe Bjellorusinë si kundërshtarë të një niveli të përafërt me Shqipërinë. Megjithatë, ambicia e kuqezinjve mbetet e qartë. “Objektivi ynë që në fillim ishte ta kalonim këtë grup dhe të dilnim të parët. Jemi një skuadër në evolucion dhe duhet të kërkojmë më shumë nga secili prej nesh”, u shpreh ai. Mbrojtësi vlerësoi punën e trajnerit Rolando Maran, duke theksuar se po punohet për një futboll më të bukur dhe më sulmues. Deri tani, Hysaj është i kënaqur me drejtimin që po merr skuadra. Një nga futbollistët me më shumë përvojë në Kombëtare, ai foli edhe për rolin e veteranëve në afrimin dhe mbështetjen e brezit të ri. Sipas tij, lojtarët e rinj kanë nevojë për përkrahje, por cilësitë që zotërojnë e bëjnë më të lehtë përshtatjen e tyre. Për të ardhmen e kuqezinjve, Hysaj shprehu optimizëm, veçanërisht për alternativat në mesfushë dhe sulm. Shqetësimi i tij lidhet me mbrojtjen, ku, sipas tij, nuk po dalin aq shumë lojtarë të rinj. “Mesfusha dhe sulmi kanë shumë zgjidhje dhe lojtarë të fortë. Ndoshta ajo që mungon është që të dalin më shumë mbrojtës”, theksoi Hysaj. Duke folur për situatën personale, mbrojtësi pranoi se Kombëtarja e ka ndihmuar të dëshmojë se është ende në formë, pas shumë muajsh pa luajtur. Ai konfirmoi se po bisedon me disa skuadra, por ende nuk ka një zhvillim zyrtar. “Kombëtarja më ndihmoi, sepse ishte momenti të tregoja që jam akoma në formë. Po bisedoj me disa skuadra, por ende nuk ka asgjë zyrtare”, tha ai, duke shtuar se përqendrimi i tij aktual është te përballja me Finlandën. Në fund, Hysaj iu përgjigj edhe pyetjes për një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar. Ai tregoi se gjatë qëndrimit në Shqipëri është stërvitur me vëllezërit dhe e ka ndjekur më nga afër futbollin vendas, por nuk e sheh ende veten pjesë të tij. “Me gjithë respektin që kam për kampionatin shqiptar, besoj se nuk është akoma momenti im për t’u kthyer në Shqipëri”, përfundoi Hysaj.