EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Igli Tares i vjedhin çantën në tren, Policia italiane arreston autorin brenda pak minutash Football

Igli Tares i vjedhin çantën në tren, Policia italiane arreston autorin brenda pak minutash

AC Milan

By Elite Sport Vizion ·

Pasditja e së martës, 4 gusht 2026, ka qenë ndryshe nga të tjerat për Igli Taren. Ish-drejtori sportiv i Lazios dhe Milanit ndodhej në Milano, ku mori pjesë në ceremoninë mortore të legjendës kuqezi, Franco Baresi, të zhvilluar në Bazilikën e Sant’Ambrogios.

Gjatë kthimit drejt Romës me tren, ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare u përball me një ngjarje të pakëndshme. Duke përfituar nga një moment pakujdesie, një person i mori çantën nga rafti i sipërm i vagonit.

Pasi mbërriti në stacionin Roma Termini dhe konstatoi vjedhjen, Tare iu drejtua menjëherë efektivëve të Policisë Hekurudhore të rajonit Lazio.

Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, policët arritën ta identifikonin dhe ta ndalonin autorin e dyshuar brenda pak minutash. Çanta dhe të gjitha sendet që ndodheshin brenda saj iu kthyen të paprekura pronarit.

Ngjarja u bë publike nga Policia e Shtetit italian përmes rrjeteve sociale.

“Fatkeqësisht, në tren mjafton ndonjëherë vetëm një çast pakujdesie për t’u përballur me surpriza të pakëndshme, siç i ndodhi Igli Tares, të cilit iu vodh çanta nga rafti i sipërm. Për fat të mirë, sapo zbriti në Roma Termini, drejtuesi sportiv pati gatishmërinë t’i drejtohej menjëherë Policisë Hekurudhore. Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, policët e identifikuan autorin e vjedhjes brenda pak minutash”, thuhet në njoftim.

Autori u arrestua, ndërsa çanta iu kthye Igli Tares. Ajo që dukej si një ditë e keqe për ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare përfundoi në mënyrën më të mirë, falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave italiane të rendit.

FootballSports Entertainment