Football
Ilir Daja: “Gjithçka për gjithçka ndaj Pafos, synojmë maksimumin”
Trajneri i Dinamo City beson te skuadra e tij përpara përballjes së parë të play-off-it të UEFA Conference League.
Dinamo City është vetëm dy ndeshje larg fazës së ligës në UEFA Conference League. Përballë kryeqytetasve do të jetë Pafos FC, një kundërshtar me përvojë dhe cilësi, por trajneri Ilir Daja shfaqet optimist për mundësitë e skuadrës së tij.
Tekniku i Dinamos theksoi se arritja deri në play-off nuk është rastësi, por rezultat i paraqitjeve dhe sakrificave të bëra gjatë gjithë rrugëtimit europian.
“Sigurisht, përderisa kemi arritur në këtë nivel, besoj se e kemi merituar. Kemi zhvilluar ndeshje të forta ndaj Atlético Escaldes, Aluminij dhe Auda”, deklaroi Daja.
Trajneri i “Nëndetëses” e pranon se përballja me Pafos do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Skuadra qipriote ka përvojë të rëndësishme ndërkombëtare dhe vjen në këtë duel me një koeficient më të lartë europian.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Pafos. Bëhet fjalë për një ekip që sezonin e kaluar ishte pjesë e fazës së ligës në Champions League. E dimë se niveli i kësaj përballjeje është shumë i lartë”, shtoi ai.
Megjithatë, Daja beson te forca e Dinamos dhe premton se skuadra do të japë gjithçka në fushë për të siguruar një rezultat pozitiv në takimin e parë.
“Do të bëjmë gjithçka për gjithçka, me synimin që të marrim maksimumin nga ndeshja e parë. Jam shumë optimist”, përfundoi trajneri i Dinamo City.
Pas fitoreve bindëse në shtëpi ndaj Aluminij dhe Auda, Dinamo synon një tjetër mbrëmje të madhe europiane. Përballë Pafos, skuadrës shqiptare do t’i nevojiten disiplinë, guxim dhe efikasitet maksimal për ta mbajtur të hapur ëndrrën e kualifikimit.