
Ilir Daja: “Nëndetësja nuk ishte në 100% të kapacitetit të saj” – problemet me vizat, terrenin dhe energjitë
“Është një përballje e hapur, sepse edhe vetë rezultati është i tillë. Jemi pak më të favorizuar nga fakti që do të luajmë në fushën dhe shtëpinë tonë, por pres një ndeshje shumë të vështirë. Besoj se kualifikimi do të vendoset nga episodet e ndeshjes së dytë”,
Dinamo City u largua me një barazim 1-1 nga transferta kundër Aluminij, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.
Skuadra shqiptare kaloi në avantazh në minutën e 15-të me golin e Hekuran Berishës. Dinamo e ruajti epërsinë deri në minutën e 83-të, kur Matic Vrbanec realizoi golin e barazimit për vendasit.
Takimi u zhvillua në kushte të vështira atmosferike. Reshjet e dendura të shiut dhe rrufetë detyruan gjyqtarin ta ndërpriste përkohësisht ndeshjen në minutën e 55-të. Pas përmirësimit të kushteve, sfida rifilloi dhe u mbyll në barazim.
Në përfundim të takimit, trajneri i Dinamo Cityt, Ilir Daja, deklaroi se rezultati 1-1 ishte pasqyrimi më i drejtë i asaj që prodhoi fusha.
“E dinim se na priste një ndeshje e vështirë. Përballë kishim skuadrën që në edicionin e kaluar ka fituar Kupën e Sllovenisë, ashtu siç ne kemi fituar Kupën e Shqipërisë”, u shpreh fillimisht Daja.
Trajneri kryeqytetas zbuloi se Dinamo nuk mundi të udhëtonte me grupin e plotë, pasi tre futbollistë të rëndësishëm nuk u pajisën me viza.
“Situata u bë edhe më e vështirë për faktin se tre lojtarët tanë nuk e morën vizën dhe nuk ishin të pranishëm. Nuk e di arsyen, sepse ata janë futbollistë të Dinamos prej më shumë se një viti. Janë lojtarë të rëndësishëm për ne dhe mungesa e tyre bëri që të mos ishim në 100 për qind të kapacitetit tonë”, theksoi ai.
Daja foli gjithashtu për ndikimin e kushteve atmosferike dhe vështirësitë që krijoi terreni i rënduar.
“Me shtimin e reshjeve u munduam të përshtateshim me terrenin. Besoj se rezultati më i drejtë ishte ai që prodhoi loja, pra barazimi”, shtoi trajneri i Dinamos.
Pavarësisht avantazhit të humbur në fund, barazimi në transfertë lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Daja pranoi se skuadra e tij do të jetë disi më e favorizuar për shkak se do të luajë përpara tifozëve të vet, por paralajmëroi se kualifikimi nuk do të jetë aspak i lehtë.
“Është një përballje e hapur, sepse edhe vetë rezultati është i tillë. Jemi pak më të favorizuar nga fakti që do të luajmë në fushën dhe shtëpinë tonë, por pres një ndeshje shumë të vështirë. Besoj se kualifikimi do të vendoset nga episodet e ndeshjes së dytë”, përfundoi Daja.
Takimi i kthimit do të zhvillohet më 30 korrik në “Elbasan Arena”. Dinamo City synon të shfrytëzojë faktorin fushë për ta mbyllur me sukses këtë përballje dhe për të vazhduar aventurën europiane.
Nëse kualifikohet, skuadra e Ilir Dajës do të përballet në raundin e tretë me fituesen e çiftit FCSB–Auda.
Aluminij–Dinamo City 1-1
Golashënues: Hekuran Berisha 15′ / Matic Vrbanec 83′ Kompeticioni: UEFA Conference League Faza: Raundi i dytë kualifikues, ndeshja e parë Ndeshja e kthimit: 30 korrik 2026, “Elbasan Arena”