EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Ilir Daja para sfidës me Audan: Kualifikimi vendoset në 180 minuta, e vështirë por jo e pamundur Football

Ilir Daja para sfidës me Audan: Kualifikimi vendoset në 180 minuta, e vështirë por jo e pamundur

By Elite Sport Vizion ·

Dinamo City është gati për sfidën e parë ndaj FK Auda në turin e tretë kualifikues të UEFA Conference League. Në konferencën zyrtare për shtyp, trajneri Ilir Daja dhe sulmuesi Lorenco Vila shprehën besim se skuadra shqiptare mund të marrë një rezultat pozitiv në Letoni.

Daja e konsideroi Audan një kundërshtar të fortë, duke theksuar se në këtë fazë të kompeticionit europian nuk ka më skuadra të lehta.

“Besoj se na pret një përballje jo e lehtë, sepse në turin e tretë të Conference League nuk ka skuadra të lehta. Edhe ne, edhe Auda vijmë pas kualifikimeve me fitore në turin e dytë eliminator”, deklaroi trajneri i Dinamos.

Sipas tij, një avantazh për skuadrën letoneze është fakti se kampionati vendas është në zhvillim. Megjithatë, edhe Dinamo ka fituar ritmin e nevojshëm pas katër ndeshjeve zyrtare në Europë.

“E kemi ndjekur Audan në të dyja ndeshjet kundër Steauas së Bukureshtit, të cilat i ka fituar. Kjo ia rrit edhe më shumë meritat, sepse përballë kishte një ekip me eksperiencë në Europë”, shtoi Daja.

Trajneri kryeqytetas beson se skuadra që do të avancojë në raundin tjetër do të përcaktohet vetëm pas dy ndeshjeve.

“Shanset janë që kualifikimi të vendoset pas 180 minutash. Për ne ka shumë rëndësi mënyra se si do të paraqitemi në 90-minutëshin e parë. Do ta kemi të vështirë, por jo të pamundur”, theksoi ai.

Daja paralajmëroi se Auda ka një skuadër të re në moshë, por me cilësi dhe disa futbollistë që mund të krijojnë probleme përmes aftësive individuale. Për këtë arsye, Dinamo duhet të ruajë përqendrimin maksimal gjatë gjithë takimit.

Tekniku foli gjithashtu për përvojën europiane të klubit dhe rëndësinë që këto ndeshje kanë për zhvillimin e futbollistëve të rinj.

“Është viti i dytë radhazi që marrim pjesë në eliminatoret e Conference League. Vjet zhvilluam një rrugëtim të mirë dhe arritëm deri në fazën ‘play-off’. Këto eliminatore janë një treg i madh për lojtarët e rinj, të cilët kanë mundësinë të prezantojnë veten dhe t’i sjellin klubit më shumë të ardhura”, u shpreh Daja.

Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe Lorenco Vila, i cili ka realizuar dy gola në dy raundet e deritanishme europiane.

“Jam në formë të mirë dhe shumë i lumtur për shokët e skuadrës, stafin dhe klubin për dy kualifikimet që kemi arritur. Shpresoj që personalisht dhe si skuadër të tregojmë më të mirën edhe ndaj Audas”, deklaroi Vila.

Sulmuesi theksoi se Dinamo e respekton kundërshtarin, por udhëton drejt Letonisë me besimin se mund të marrë një rezultat të favorshëm.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, e cila kërkon impenjim dhe përqendrim maksimal. E vlerësojmë kundërshtarin, por kemi besim se do të bëjmë diçka pozitive. Gjendja e ekipit është e mirë, si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht”, përfundoi Vila.

Dinamo City synon të vazhdojë rrugëtimin pozitiv në Europë dhe të krijojë një pozicion të favorshëm përpara ndeshjes së kthimit.

FootballFC Dinamo City.