EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
ILIR DAJA RINDËRTON DINAMON DHE E FUT NË GARË PËR TROFE Football

ILIR DAJA RINDËRTON DINAMON DHE E FUT NË GARË PËR TROFE

Pavarësisht largimit të shumë titullarëve dhe mungesës së përforcimeve me të njëjtën peshë, trajneri kryeqytetas ndërtoi një ekip konkurrues në Europë dhe tani po i jep Dinamos profilin e një skuadre që mund të luftojë për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

E keni dëgjuar shprehjen popullore: “Amvisa e mirë gatuan edhe me krunde”? Në futbollin shqiptar, kjo shprehje i përshtatet më së miri trajnerit të Dinamos, Ilir Daja.

Gjatë merkatos, nga skuadra blu u larguan disa lojtarë të formacionit bazë, ndërsa afrimet e reja nuk kishin të njëjtën peshë dhe eksperiencë. Megjithatë, Daja arriti ta rindërtonte ekipin, ta paraqiste me dinjitet në UEFA Conference League dhe tani po i jep Dinamos identitetin e një skuadre që synon të konkurrojë seriozisht për titullin kampion ose për fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Fitorja 4-2 ndaj Partizanit në derbin e kryeqytetit ishte një tjetër provë e punës së tij. Dinamo tregoi karakter, cilësi në fazën sulmuese dhe aftësi për të goditur në momentet vendimtare. Edhe pse hasi vështirësi në fillim, skuadra blu dinte të reagonte, të shfrytëzonte hapësirat dhe më pas të administronte avantazhin.

Pas ndeshjes, në një prononcim për emisionin “Super Gol” në RTSH, Ilir Daja vlerësoi spektaklin që prodhuan të dyja skuadrat.

“Besoj se sot ishte një ndeshje me shumë gola të shënuar dhe me shumë situata në të dyja krahët, si për ne, ashtu edhe për Partizanin. Ata që ishin në stadium apo që e ndoqën ndeshjen nga televizori, qofshin tifozë të Dinamos apo sportdashës të tjerë, panë një derbi që i kishte të gjitha brenda”, deklaroi Daja.

Tekniku dinamovit nuk e fshehu kënaqësinë për suksesin ndaj një rivali të drejtpërdrejtë dhe me një kontingjent cilësor lojtarësh.

“Ne jemi kënaqur më shumë, sepse dihet që Partizani është një nga rivalët tanë dhe ka një kontingjent shumë të mirë. Kjo është java e tretë radhazi që arrijmë te fitorja. Kemi pasur mungesa për shkak të ngarkesës së ndeshjeve në Europë, por besoj se afrimi i disa lojtarëve të tjerë do të na ndihmojë, duke shtuar cilësinë dhe rivalitetin brenda grupit.”

DINAMO VUAJTI NË FILLIM, POR REAGOI SI SKUADËR E MADHE

Ilir Daja pranoi se skuadra e tij nuk e nisi ndeshjen me intensitetin e duhur. Sipas tij, Partizani ishte më agresiv në dyluftime dhe u përshtat më shpejt me fushën sintetike.

“Në fillim e morëm pak lehtë ndeshjen. Pamë që Partizani ishte më agresiv në dyluftime. Fusha sintetike kërkon një lloj tjetër sakrifice, të cilën ne nuk e kishim në minutat e para. Këta elementë na e bënin të vështirë daljen përpara.”

Trajneri i Dinamos shpjegoi gjithashtu se Partizani krijoi probleme kryesisht në krahun e djathtë të sulmit dhe se kjo ishte një nga pikat ku ai ndërhyri gjatë pushimit.

“Partizani na sulmoi më shumë nga krahu i djathtë dhe me këtë u mora në përfundim të pjesës së parë. Ne nuk vepronim mirë kur topi kalonte nga e majta në të djathtë.”

MENAXHIMI I AVANTAZHIT

Derbi ishte i hapur, me ritëm, gola dhe raste në të dyja portat. Sipas Dajës, hapësirat e krijuara nga të dyja skuadrat prodhuan një numër të madh situatash të rrezikshme.

“Sa i përket manovrës, nuk kishte shumë mundësi për lojë të kontrolluar, sepse të dyja skuadrat u hapën dhe për këtë arsye u krijuan shumë raste para portave.”

Në pjesën e dytë, Dinamo vendosi të ruante më mirë energjitë dhe të administronte epërsinë e krijuar.

“Me energjitë që kishim në dispozicion dhe me avantazhin që kishim në fund të pjesës së parë, kërkuam më shumë ta menaxhonim ndeshjen sesa të vazhdonim të ishim agresivë në fazën sulmuese”, përfundoi Daja.

DINAMO PO MERR FORMËN E NJË PRETENDENTEJE

Tri fitore radhazi nuk janë rastësi. Ato tregojnë se Dinamo po ndërton vazhdimësi, besim dhe mentalitet fitues. Sigurisht, skuadra ka ende nevojë për përmirësime dhe për një stol më të pasur, sidomos pas lodhjes së akumuluar në ndeshjet europiane.

Megjithatë, dora e trajnerit duket qartë. Ilir Daja po merr maksimumin nga kontingjenti që ka në dispozicion dhe po ndërton një skuadër me personalitet, e aftë të shënojë, të reagojë dhe të fitojë edhe ndeshjet më të vështira.

Dinamo nuk është më thjesht një emër i madh i së kaluarës. Me Ilir Dajën në stol, “Nëndetësja Blu” po del përsëri në sipërfaqe dhe po dërgon një mesazh të qartë për rivalët: këtë sezon dëshiron të luftojë për trofe.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027