Football
Interi nuk ka asnjë ofertë për Asllanin, Chivu nuk e do në skuadër
Pas largimit të Davide Frattesit drejt Lazios, Interi kërkon të reduktojë më tej organikën. Benjamin Pavard është pranë qëndrimit, ndërsa Kristjan Asllani mbetet plotësisht jashtë planeve të trajnerit.Mesfushori i Kombëtares shqiptare është jashtë planeve të trajnerit, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë propozim konkret për transferimin e tij.
E ardhmja e Kristjan Asllanit tek Interi duket gjithnjë e më e komplikuar. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk bën pjesë në projektin sportiv të Cristian Chivut, por deri tani në zyrat e klubit zikaltër nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete për transferimin e tij.
Interi ka nisur një fazë të re të riorganizimit të skuadrës. Davide Frattesi është larguar zyrtarisht drejt Lazios, ku pritet të ketë më shumë hapësira aktivizimi se sa kishte në Milano, por mesfushori italian nuk pritet të jetë i vetmi që do t’u japë lamtumirën zikaltërve.
Drejtuesit e klubit synojnë ta reduktojnë më tej numrin e lojtarëve në organikë gjatë dy javëve të fundit të merkatos verore. Objektivi është krijimi i hapësirave financiare dhe sportive për afrimin e futbollistëve që përshtaten më mirë me idetë e Chivut.
Pavard drejt qëndrimit
Benjamin Pavard ka qenë një nga emrat më të diskutuar gjatë merkatos, por mbrojtësi francez nuk mund të konsiderohet një lojtar i tepërt.
Pas përfundimit të huazimit te Marseille, Pavard është rikthyer tek Interi dhe është vendosur plotësisht në dispozicion të trajnerit. Ai ka zhvilluar një fazë të mirë përgatitore, duke bindur stafin teknik për vlerat dhe rëndësinë e tij në repartin defensiv.
Largimi i tij do ta detyronte Interin të ndërhynte menjëherë për një tjetër qendërmbrojtës. Megjithatë, mundësitë që francezi të largohet po zvogëlohen, veçanërisht pas transferimit të Cristian Romeros tek Atlético Madrid. Romero konsiderohej objektivi kryesor i zikaltërve për mbrojtjen.
Pavard, për këtë arsye, duket gjithnjë e më pranë qëndrimit në Milano. Interi vazhdon të jetë i gatshëm të dëgjojë oferta të rëndësishme, por deri tani nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret.
Asllani plotësisht jashtë projektit
Situata e Kristjan Asllanit është krejtësisht ndryshe. Mesfushori shqiptar konsiderohet jashtë planeve teknike të Chivut dhe Interi po kërkon një skuadër të re për të.
Vendimi i trajnerit është bërë i qartë prej kohësh. Asllani nuk u grumbullua për turneun përgatitor të skuadrës, ndërsa përfaqësuesve të tij u është komunikuar se nuk do të merret në konsideratë për sezonin e ardhshëm.
Pas huazimeve te Torino dhe Beşiktaş, ish-talenti i Empolit është rikthyer në Milano, por pa arritur të ndryshojë statusin e tij. Në ndryshim nga Pavard, ai konsiderohet një lojtar që duhet të largohet.
Problemi është se Interi nuk ka marrë ende asnjë ofertë konkrete. Ka pasur interesime dhe kontakte paraprake, por asnjë klub nuk ka hapur një negociatë të mirëfilltë për blerjen e mesfushorit shqiptar.
Drejtuesit zikaltër duhet të gjejnë një zgjidhje përpara mbylljes së merkatos. Nëse nuk sigurohet një transferim përfundimtar, Interi mund të pranojë një tjetër huazim, edhe pse kjo formulë vetëm do ta shtynte zgjidhjen e çështjes për gjashtë muaj ose një vit.
Një situatë shqetësuese për Kombëtaren
Situata e Asllanit ndiqet me vëmendje edhe nga stafi i Kombëtares shqiptare. Mesfushori është një element i rëndësishëm për kuqezinjtë, por mungesa e vazhdimësisë në nivel klubesh mund të ndikojë në formën dhe ritmin e tij.
Në këtë fazë të karrierës, Asllani ka nevojë për një skuadër që t’i ofrojë besim, minuta dhe një rol të rëndësishëm. Një tjetër sezon në stol ose jashtë planeve teknike nuk do t’i shërbente as lojtarit dhe as Kombëtares shqiptare.
Ditët e fundit të merkatos pritet të jenë vendimtare. Interi dëshiron ta largojë, Chivu nuk e konsideron pjesë të skuadrës, por ofertat konkrete mungojnë.
Kristjan Asllani është në pritje, ndërsa koha po kalon.