Football
Italia me “shpatë” në dorë! Diana Bianchedi, shefja e re e delegacionit të Kombëtares
Itali, kush është Diana Bianchedi: shefja e re e delegacionit të Kombëtares, e kaluara sportive dhe detyrat e saj
Diana Bianchedi është emëruar shefja e re e delegacionit të Kombëtares italiane të futbollit për meshkuj. Lajmi surprizë u njoftua nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò.
Ish-kampionia e skermës do të zërë vendin e lënë vakant nga Gianluigi Buffon, duke iu bashkuar strukturës së re drejtuese të Italisë, ku Roberto Mancini është trajner, ndërsa Claudio Ranieri dhe Gianfranco Zola mbajnë role të rëndësishme.
Emërimi i Bianchedit konsiderohet pjesë e projektit për riorganizimin dhe ringritjen e futbollit italian.
Kush është Diana Bianchedi?
Diana Bianchedi ka lindur në Milano në vitin 1969 dhe është një nga figurat më të njohura të sportit të skermës (një lloj sporti në të cilin bëhen ushtrime dhe ndeshje me shpata të posaçme për të mësuar përdorimin me shkathtësi të armëve të bardha) italiane. Ajo garonte në disiplinën e floretit dhe ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme sportive.
Në palmaresin e saj përfshihen:
Dy medalje të arta olimpike në garën ekipore, në Barcelonë 1992 dhe Sidnej 2000. Pesë tituj kampione bote në garën ekipore, të fituar ndërmjet viteve 1991 dhe 2001. Dy medalje bronzi individuale në Kampionatet Botërore të viteve 1995 dhe 1997. Një medalje argjendi në Kampionatin Evropian të vitit 1995. Vendi i pestë në garën individuale të Lojërave Olimpike të Sidnejit.
Përveç rezultateve të jashtëzakonshme sportive, Bianchedi është diplomuar në Mjekësi dhe Kirurgji dhe është specializuar në mjekësinë sportive. Ajo ka kryer gjithashtu studime të avancuara në administrimin dhe menaxhimin e sportit.
Pas përfundimit të karrierës si sportiste, iu përkushtua drejtimit sportiv. Në vitin 2001 u bë pjesë e strukturave drejtuese të Komitetit Olimpik Kombëtar Italian, ndërsa në vitin 2025 u zgjodh zëvendëspresidente e parë e CONI-t.
Bianchedi ka mbajtur edhe postin e rëndësishëm të “Chief Strategy Planning & Legacy Officer” në komitetin organizator të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026.
Detyrën e shefes së delegacionit të Kombëtares italiane do ta ushtrojë paralelisht me postin e saj si zëvendëspresidente e parë e CONI-t.
Një “revolucion kulturor” për futbollin italian
Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, e cilësoi zgjedhjen e Bianchedit si një përgjigje ndaj dëshirës së tifozëve italianë që futbolli të mos perceptohet më si një realitet i shkëputur nga pjesa tjetër e sportit.
Sipas tij, Diana Bianchedi gëzon prestigj dhe besueshmëri ndërkombëtare, falë sukseseve si kampione olimpike, formimit akademik dhe përvojës së saj të gjatë drejtuese.
Prania e saj synon ta vendosë futbollin në qendër të një dialogu të gjerë me të gjithë lëvizjen sportive italiane.
Cilat do të jenë detyrat e saj?
Sipas përkufizimit zyrtar të FIGC-së, shefi i delegacionit të një Kombëtareje përfaqëson presidentin e Federatës dhe vetë FIGC-në në të gjitha aktivitetet zyrtare.
Detyrat kryesore të Diana Bianchedit do të jenë:
T’ua transmetojë stafit dhe futbollistëve rregullat e sjelljes, duke garantuar respektimin e parimeve dhe vlerave të përcaktuara në statutin e Federatës. Të mbështesë trajnerët dhe delegacionin në administrimin e përgjithshëm të të gjitha aktiviteteve që nuk lidhen drejtpërdrejt me aspektin teknik. Të promovojë identitetin, historinë dhe vlerat e fanellës së kaltër. Të përfaqësojë institucionalisht futbollin italian gjatë udhëtimeve dhe angazhimeve ndërkombëtare. Të krijojë një urë bashkëpunimi ndërmjet futbollit dhe të gjithë lëvizjes olimpike italiane. Të ndihmojë drejtuesit dhe trajnerin Roberto Mancini në programimin afatgjatë të Kombëtares për Kampionatet Evropiane dhe Botërore.
Emërimi i saj shënon një moment historik dhe një ndryshim të rëndësishëm kulturor në futbollin italian. Përvoja si kampione, mjeke dhe drejtuese sportive pritet ta ndihmojë Diana Bianchedin të luajë një rol kyç në rikthimin e prestigjit dhe identitetit të Kombëtares së Italisë.