Football
Italia në kaos: Maldini dhe Leonardo largohen nga Kombëtarja pas vetëm 16 ditësh
FIGC kërkon me urgjencë trajnerin e ri Pas largimit të Maldinit dhe Leonardos, përgjegjësia për zgjedhjen e trajnerit të ri i kalon drejtpërdrejt Giovanni Malagòs. Presidenti i FIGC-së ka zhvilluar një takim urgjent me përfaqësuesit e ligave dhe sindikatave për të menaxhuar krizën e krijuar. Ai ka bërë të ditur se emërimi i trajnerit të ri nuk mund të shtyhet më dhe pritet të zyrtarizohet brenda orëve të ardhshme ose, më së largu, deri nesër.
Aventura e Paolo Maldinit dhe Leonardos në drejtimin e projektit të ri të Kombëtares italiane ka përfunduar pas vetëm 16 ditësh. Sipas raportimit të Sky Sport, dy drejtuesit ia kanë komunikuar presidentit të FIGC-së, Giovanni Malagò, vendimin e tyre të parevokueshëm për t’u larguar nga Federata Italiane e Futbollit.
Maldini ishte emëruar drejtor teknik i FIGC-së dhe president i “Club Italia”, ndërsa Leonardo kishte marrë rolin e këshilltarit strategjik. Ata ishin zgjedhur për të ndërtuar një projekt katërvjeçar që synonte rikthimin e Italisë në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.
Përplasja për Andrea Pirlon
Shkaku kryesor i largimit ishte bllokimi përfundimtar i kandidaturës së Andrea Pirlos për postin e trajnerit të Kombëtares.
Pas refuzimeve të Carlo Ancelottit dhe Pep Guardiolës, Maldini e identifikoi ish-shokun e tij të skuadrës si kandidatin ideal për të nisur ciklin e ri të “Axurrëve”. Sipas tij, Pirlo ndante të njëjtin vizion teknik dhe ishte i gatshëm të merrte drejtimin e projektit.
Megjithatë, presidenti Giovanni Malagò vendosi veton ndaj emërimit të Pirlos për shkak të polemikave politike dhe mediatike të lidhura me rolin e trajnerit italian si ambasador i kompanisë ruse të basteve Fonbet.
Maldini nuk u ndje i mbështetur
Vendimi për të bllokuar Pirlon bëri që Maldini të mos ndihej i mbështetur dhe i mbrojtur nga drejtuesit e Federatës.
Gjatë orëve të fundit u zhvilluan diskutime të shumta për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur dorëheqjet. Mes alternativave për stolin e Italisë u propozua edhe Thiago Motta, një emër i sugjeruar nga Leonardo, i cili e njeh atë që nga periudhat e përbashkëta tek Interi dhe Paris Saint-Germain.
Megjithatë, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Maldini dhe Leonardo vlerësuan se nuk ekzistonin më kushtet për të vazhduar mandatin e tyre dhe ia komunikuan vendimin Malagòs gjatë pasdites.
FIGC kërkon me urgjencë trajnerin e ri
Pas largimit të Maldinit dhe Leonardos, përgjegjësia për zgjedhjen e trajnerit të ri i kalon drejtpërdrejt Giovanni Malagòs.
Presidenti i FIGC-së ka zhvilluar një takim urgjent me përfaqësuesit e ligave dhe sindikatave për të menaxhuar krizën e krijuar. Ai ka bërë të ditur se emërimi i trajnerit të ri nuk mund të shtyhet më dhe pritet të zyrtarizohet brenda orëve të ardhshme ose, më së largu, deri nesër.
Roberto Mancini është rikthyer si kandidati kryesor dhe prej kohësh konsiderohet zgjedhja e preferuar e Malagòs. Një tjetër alternativë mbetet Antonio Conte, megjithëse deri tani nuk ka pasur kontakte konkrete me të.
Emri i Contes lidhet edhe me një riorganizim të mundshëm të strukturës drejtuese. Për të zëvendësuar Maldinin si drejtor teknik po përmendet Giorgio Chiellini, ish-kapiteni i Italisë dhe aktualisht drejtues te Juventusi.
Dorëheqjet e Maldinit dhe Leonardos, vetëm 16 ditë pas emërimit, e kanë futur FIGC-në dhe Kombëtaren italiane në një krizë të thellë institucionale dhe sportive.