Football
Julian Ahmataj: Mund të kishim marrë më shumë, Skënderbeu tregoi karakter
Trajneri i Skënderbeut vlerëson reagimin në barazimin 2–2 ndaj Vllaznisë: “Nuk kishim frikë të kërkonim golin. Mund të realizonim edhe surprizën”
Rikthimi i Skënderbeut në Abissnet Superiore nisi me një rezultat pozitiv dhe një paraqitje që premton shumë për vazhdimin e sezonit.
Skuadra korçare barazoi 2–2 me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”, pavarësisht se u gjend në disavantazh të dyfishtë në fillimin e pjesës së dytë.
Në prononcimin për emisionin “Super Gol” në RTSH, trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij. Megjithatë, tekniku beson se korçarët mund të kishin marrë edhe më shumë nga transferta në Shkodër.
“Mund të kishim marrë diçka më shumë, edhe pse nuk e mohoj se jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tim”, deklaroi Ahmataj.
Trajneri theksoi se të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion e meritonin mundësinë për të kontribuar në ndeshjen hapëse të sezonit, për më tepër në një stadium të vështirë si “Loro Boriçi”.
“Të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion janë pjesë e skuadrës dhe meritojnë të marrin atë që u takon. Në këtë ndeshje ishte radha e tyre të jepnin kontributin për Skënderbeun. Performuan mirë, ndonëse kishim planifikuar një organikë tjetër dhe më të plotë për këtë garë”, shpjegoi ai.
I pyetur nëse do t’u besonte përsëri të njëjtëve futbollistë, Ahmataj u përgjigj me humor:
“Fituesit qëndrojnë gjithmonë në fushë, por ne nuk fituam. Po të kishim fituar sot…” – tha trajneri duke qeshur.
Skënderbeu pati vështirësi në qarkullimin e topit gjatë fillimit të ndeshjes. Sipas Ahmatajt, skuadra duhej të administronte energjitë, veçanërisht për faktin se disa futbollistë i ishin bashkuar ekipit vetëm pak ditë më parë.
“Kishim disa vështirësi në fillim dhe nuk e realizuam qarkullimin e plotë të topit. Duhej të tregoheshim të kujdesshëm në harxhimin e energjive. Disa nga lojtarët që ishin në fushë kishin ardhur në skuadër vetëm tri ditë më parë. Jemi munduar t’i përgatisim në një kohë shumë të shkurtër, por lojtarë si Nasr dhe Bismark kanë cilësi”, nënvizoi tekniku.
Ahmataj foli edhe për problemet në repartin e mbrojtjes. Mungesa e alternativave e detyroi stafin teknik të përshtaste lojtarët në role të ndryshme.
“Kur ke probleme në një rol vendimtar, siç është qendra e mbrojtjes, mund t’ia besosh atë vetëm një futbollisti me eksperiencë. Aktivizuam Shaqen në qendër, pasi nuk kishim alternativë tjetër përveç lojtarëve të rinj”, shpjegoi trajneri i Skënderbeut.
Vllaznia kaloi në avantazh 2–0 me dy golat e Bekim Balajt në minutat 50 dhe 54. Megjithatë, korçarët nuk u dorëzuan. Janaqi ngushtoi diferencën me një gol të bukur në minutën e 57-të, ndërsa Charles Bismark barazoi rezultatin në të 74-ën.
Sipas Ahmatajt, ndryshimi taktik dhe besimi i fituar gjatë lojës ndihmuan Skënderbeun të reagonte pas disavantazhit të dyfishtë.
“Pas rreth 60 minutash, lojtarët kishin hyrë në ritmin e ndeshjes dhe ndryshimi taktik u bë më i lehtë. Ata kishin fituar besim, kishin fituar dyluftimet dhe kishin bërë shumë gjëra mirë. Episodet e golit dhe të penalltisë ishin disi të shkëputura nga rrjedha e përgjithshme e ndeshjes”, analizoi Ahmataj.
Tekniku pranoi se mungesa e eksperiencës ndikoi në disa ndërhyrje brenda zonës dhe në menaxhimin e topave të dytë, por vlerësoi guximin e skuadrës.
“Eksperienca jo e madhe ndikon te ndërhyrjet brenda zonës dhe te topat e dytë në zonën e rrezikshme. Megjithatë, nuk kishim frikë të kërkonim golin dhe mendoj se e bëmë shumë mirë. Mund të realizonim edhe surprizën, por ky është futbolli. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, shtoi ai.
Ahmataj tregoi se kishte planifikuar ndryshime të tjera gjatë ndeshjes, por rrjedha e rezultatit e detyroi të ndërhynte më shpejt.
“Patjetër që do të ndryshonim, sepse dëshironim të provonim mundësitë tona. Më pas u detyruam ta përshpejtonim ndërrimin, pasi nuk e meritonim atë rezultat me atë që kishim treguar në fushë. Patëm edhe momente të mira për të shënuar”, deklaroi trajneri.
Në fund, Ahmataj vlerësoi veçanërisht lojtarët e rinj Grazhdani dhe Nasto, të cilët kanë qenë pjesë e kombëtareve të moshave.
“Grazhdani dhe Nasto janë futbollistë të konfirmuar në nivelet e moshave. Kanë qenë pjesë e ekipit U-19 që doli kampion dhe kanë dhënë prova. Kanë siguri në lojë, por u nevojitet më shumë eksperiencë për të zhvilluar vazhdimisht paraqitje të nivelit të lartë. Potenciali i tyre është shumë i madh”, përfundoi Julian Ahmataj.
Barazimi në Shkodër ishte një sinjal pozitiv për Skënderbeun. Më shumë sesa pika e marrë, reagimi pas disavantazhit 2–0 tregoi se skuadra e Ahmatajt ka karakter, cilësi dhe potencial për të qenë konkurruese në rikthimin e saj në elitën e futbollit shqiptar.