
Juventusi shtyn për Sørloth, norvegjezi prioritet absolut pas largimit të Vlahović
Bomberi i Atlético Madrid është kthyer në prioritetin absolut të “Zonjës së Vjetër”, e cila po punon intensivisht për të mbyllur marrëveshjen sa më shpejt.
Juventusi po lëviz me shpejtësi në merkaton e verës për të rindërtuar repartin ofensiv pas largimit të Dusan Vlahović. Drejtuesit bardhezi kanë identifikuar objektivin kryesor dhe emri që kryeson listën është sulmuesi norvegjez Alexander Sørloth.
Bomberi i Atlético Madrid është kthyer në prioritetin absolut të “Zonjës së Vjetër”, e cila po punon intensivisht për të mbyllur marrëveshjen sa më shpejt. Krahas Sørloth, në radarët e Juventusit mbetet edhe Randal Kolo Muani, një emër që klubi torinez e ndjek prej kohësh dhe që ishte shumë pranë transferimit që prej huazimit të tij në fillim të vitit 2025.
Megjithatë, situata e Sørloth konsiderohet më urgjente. Interesi i disa klubeve të Premier League rrezikon të komplikojë operacionin dhe pikërisht për këtë arsye Juventusi dëshiron të veprojë pa humbur kohë. Bardhezinjtë kanë zhvilluar tashmë takime me përfaqësuesit e sulmuesit dhe kanë arritur një marrëveshje bazë për kushtet personale të kontratës.
Tani mbetet vetëm faza më e vështirë: gjetja e akordit përfundimtar me Atlético Madrid. Drejtuesit italianë synojnë të mbyllin gjithçka para se të shfaqen oferta të tjera që mund të ndryshojnë skenarin.
Një faktor që favorizon Juventusin është vetë dëshira e lojtarit. Sørloth është i bindur nga projekti sportiv i klubit torinez dhe i ka dhënë përparësi totale transferimit në Torino. Sulmuesi norvegjez besohet se është i gatshëm të veshë fanellën bardhezi edhe pse Juventusi nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Tashmë topi është në fushën e administratorit Damien Comolli dhe bordit drejtues të Juventusit. Ata duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët me Atlético Madrid, një klub që ndërkohë po shtyn për të siguruar shërbimet e Nico González.
Java në vazhdim pritet të jetë vendimtare. Nëse negociatat ecin sipas planit, Alexander Sørloth mund të bëhet goditja e madhe e Juventusit për sezonin e ri dhe lideri i sulmit që synon ta rikthejë klubin në majat e futbollit italian dhe europian.