Football
Kanë mbetur 64 ditë deri te ndeshja me Belgjikën, Italia ende pa trajner
Pep Guardiola mbetet zgjedhja e parë e Federatës Italiane. Përgjigjja përfundimtare e teknikut katalanas pritet deri të martën, më 28 korrik.
Kanë mbetur vetëm 64 ditë deri në ndeshjen kundër Belgjikës, por Kombëtarja italiane vazhdon të jetë pa trajner. Italia do ta nisë sezonin e ri më 25 shtator 2026, në “Stadio Olimpico” të Romës, në takimin e parë të UEFA Nations League.
Këto janë ditë vendimtare për të ardhmen e stolit të “Axurrëve”. Pep Guardiola ka kërkuar pak kohë për të reflektuar dhe pritet ta japë përgjigjen përfundimtare deri të martën, kur është planifikuar edhe mbledhja e Këshillit Federal.
Gjatë fundjavës së kaluar, Paolo Maldini dhe Leonardo udhëtuan drejt Barcelonës për t’i paraqitur Guardiolës projektin e ri. Plani parashikon jo vetëm rindërtimin e Kombëtares, por edhe një revolucion të plotë të sistemit të futbollit italian.
Trajneri katalanas, i cili u largua nga Manchester City pas dhjetë vitesh plot suksese, është zgjedhja e parë e drejtuesve të Federatës Italiane. Nëse e pranon ofertën, Guardiola pritet të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2030.
Federata është e gatshme ta tejkalojë buxhetin dhe t’i ofrojë rreth pesë milionë euro neto në sezon. Kjo shumë është më shumë se dyfishi i asaj që u është propozuar Andrea Pirlos dhe Roberto Mancinit, të cilët konsiderohen alternativa më të përballueshme.
Presidenti Giovanni Malagò ëndërron një goditje të madhe dhe dëshiron ta shohë Guardiolën në krye të Italisë. Megjithatë, situata ka shkaktuar pakënaqësi te Roberto Mancini.
“Askush nuk më ka kontaktuar për stolin e Italisë”, deklaroi ish-trajneri i Kombëtares italiane. Sipas raportimeve, Mancini i ka kërkuar personalisht Malagòs shpjegime për situatën dhe për mënyrën se si po zhvillohen bisedimet.
Ndërkohë, klubet e Serie A pritet të propozojnë përsëri emrin e Antonio Contes, i cili gjithashtu ka deklaruar se nuk është kontaktuar. Megjithatë, kjo kandidaturë nuk e bind Maldinin. Në projektin e paraqitur prej tij, emri i Contes nuk figuron.
Guardiola mbetet alternativa e parë, Andrea Pirlo konsiderohet kandidati kryesor nëse katalanasi refuzon, ndërsa Roberto Mancini qëndron në pritje. Vendimi përfundimtar pritet të merret deri më 28 korrik.
Koha nuk premton për Italinë. Pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, “Axurrët” duhet të nisin një cikël të ri, ndërsa ndeshja e parë kundër Belgjikës po afrohet me shpejtësi.
Ndeshjet e para të Italisë në Nations League Data Ora Ndeshja 25 shtator 2026 20:45 Itali – Belgjikë 28 shtator 2026 20:45 Turqi – Itali 2 tetor 2026 20:45 Francë – Itali 5 tetor 2026 20:45 Itali – Turqi