Football
Keidi Bare mbetet lojtar i lirë, Málaga mendon rikthimin e mesfushorit shqiptar
Destinacioni më i përfolur është Málaga CF, ish-klubi i mesfushorit shqiptar. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Málaga po mendon seriozisht rikthimin e Bares.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Keidi Bare, është zyrtarisht lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij me Real Zaragozën më 1 korrik 2026.
Pas largimit nga klubi i Segunda División, disa skuadra kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e transferimit të 28-vjeçarit pa pagesë.
Destinacioni më i përfolur është Málaga CF, ish-klubi i mesfushorit shqiptar. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Málaga po mendon seriozisht rikthimin e Bares.
Klubi synon të ndërtojë një skuadër të fortë dhe konkurruese, me objektivin për t’u rikthyer në elitën e futbollit spanjoll. Drejtuesit e shohin shqiptarin si një përforcim cilësor, që mund t’i japë ekuilibër, forcë dhe eksperiencë repartit të mesfushës.
Edhe Bare raportohet se është i hapur ndaj mundësisë së rikthimit në Málaga, ku kaloi dy sezone të rëndësishme të karrierës së tij, nga viti 2018 deri më 2020. Më pas ai u transferua tek Espanyoli.
Gjatë aventurës së parë me Málagën, Bare regjistroi 48 paraqitje dhe shënoi një gol. Me Espanyolin zhvilloi 105 ndeshje dhe realizoi një gol, ndërsa fanellën e Real Zaragozës e veshi në 46 takime.
Vlera e tij në treg arriti kulmin në maj të vitit 2022, kur vlerësohej rreth 8.1 milionë euro. Aktualisht, vlera e kartonit të tij llogaritet në rreth 700–760 mijë euro.
Fakti që Bare mund të transferohet pa asnjë kosto për kartonin e bën atë një alternativë tërheqëse për klubet e Segunda División dhe skuadrat e kampionateve të tjera evropiane.
Ndërsa merkatoja verore vazhdon, Málaga duket si pista më konkrete për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.