Football
Lajm i keq për Egnatian: Soumaila Bakayoko mbi gjashtë muaj larg fushave
KF Egnatia ka marrë një lajm të rëndë për sulmuesin Soumaila Bakayoko. Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se futbollisti ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL), si dhe dëmtim të pjesshëm të meniskut anësor.
Sulmuesi 24-vjeçar nga Bregu i Fildishtë do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për rindërtimin e ligamentit. Pas operacionit, ai do të nisë një program të gjatë rehabilitimi nën kujdesin e stafit mjekësor.
Bakayoko u dëmtua gjatë ndeshjes së parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League kundër NK Celjes, të zhvilluar më 22 korrik në “Arena Egnatia”.
Ai u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 16-të, duke u zëvendësuar nga Daniel Adjessa. Takimi përfundoi në barazim 3-3. Sky Sports
Dëmtimet e kombinuara të ligamentit ACL dhe meniskut konsiderohen ndër më të rëndat për një futbollist profesionist. Periudha e rikuperimit varet nga operacioni dhe ecuria e rehabilitimit, por zakonisht zgjat nga tetë deri në 12 muaj.
Kjo do të thotë se Bakayoko pritet të qëndrojë jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit. Rikthimi i tij në aktivitet do të bëhet vetëm pasi të kalojë testet mjekësore, fizike dhe biomekanike.
Një goditje e rëndë për Egnatian, që humbet për një periudhë të gjatë një prej lojtarëve të repartit ofensiv.
Elite Sport Vizion i uron Soumaila Bakayokos një operacion të suksesshëm dhe rikthim sa më të fortë në fushën e lojës.