EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Maran: “Finlanda është kundërshtar i vështirë. Duhet të japim më shumë se 100 për qind” Football

Maran: “Finlanda është kundërshtar i vështirë. Duhet të japim më shumë se 100 për qind”

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, pret një përballje të vështirë ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, tekniku italian analizoi kundërshtarin, foli për mundësinë e aktivizimit së bashku të Mario Mitajt dhe Stavro Pilos, si dhe shpjegoi grumbullimin e Sabah Kerjotës. Duke krahasuar Finlandën me Bjellorusinë, Maran theksoi se dy skuadrat kanë sisteme të ndryshme loje, por dallohen për organizimin dhe vendosjen kompakte në fushë. “Finlanda është një kundërshtar i vështirë, një skuadër që tenton ta bëjë kundërshtarin të luajë keq. Nuk ngjajnë në sistemin e lojës, por në mënyrën e qëndrimit në fushë: janë dy skuadra shumë kompakte, që ua pengojnë shpejtësinë kundërshtarëve”, u shpreh ai. Për Maranin, përballja kërkon që çdo futbollist t’i vendosë cilësitë individuale në shërbim të grupit. “Për të qenë një Kombëtare konkurruese, duhet të japim më shumë se 100 për qind. Këtë pres nga të gjithë. Kam fatin të kem lojtarë me përkushtim dhe bujari. Kur kemi arritur t’i shfaqim këto karakteristika, kanë dalë në pah edhe më shumë cilësi nga sa mendonim”, theksoi trajneri. Një nga pyetjet lidhej me Mario Mitajn dhe Stavro Pilon, të cilët luajnë në të njëjtin pozicion, dhe mundësinë që të dy ta nisnin ndeshjen nga minuta e parë. Maran nuk e përjashtoi këtë alternativë, duke shpjeguar se karakteristikat e tyre të ndryshme mund të lejojnë edhe role të ndryshme në fushë. “Janë dy lojtarë që mund të kenë role të ndryshme dhe, mbi të gjitha, kanë karakteristika të ndryshme. Mund të jenë plotësues të njëri-tjetrit, ose mund të luajë vetëm njëri, siç ka ndodhur deri tani”, sqaroi ai. Tekniku italian foli edhe për Sabah Kerjota, i cili u grumbullua, por nuk u aktivizua në dy ndeshjet e para. Sipas Maranit, përveç bërthamës së skuadrës, janë thirrur edhe disa futbollistë të tjerë për të përballuar numrin e ndeshjeve dhe për t’i njohur më nga afër. “Kerjota ishte njëri prej tyre. Deri tani nuk ka ardhur momenti për ta aktivizuar, por grumbullimi i tij ishte pjesë e planit për ta njohur më mirë. Do të shohim nëse do të ketë mundësi”, përfundoi Maran.

FootballNational Team