Football
Maran, Sina, Kerjota dhe rasti Mehmeti: A ka Shqipëria një projekt për talentet e saj?
Lista e Rolando Maranit për katër ndeshjet e ardhshme të Kombëtares shqiptare befasoi opinionin sportiv. Jashtë saj mbetën futbollistë të rëndësishëm si Armando Broja, Jasir Asani dhe Nedim Bajrami, ndërsa për herë të parë u grumbulluan Samuele Sina dhe Sabah Kerjota.
Sina dhe Kerjota janë dy futbollistë pak të njohur për publikun shqiptar dhe aktualisht nuk luajnë në klube të elitës së futbollit europian. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk e meritojnë mundësinë.
Përgjegjësia për listën i takon trajnerit. Edhe opinionin tonë për këta dy lojtarë do ta japim pasi t’i shohim në fushë. Çdo futbollist shqiptar që paraqitet mirë duhet ta ketë të hapur derën e Kombëtares.
Samuele Sina ka luajtur me Shqipërinë U-17 dhe U-19. Ndërsa Sabah Kerjota, sipas të dhënave të publikuara, nuk rezulton të jetë aktivizuar më parë me ekipet përfaqësuese të moshave.
Problemi nuk është thirrja e tyre. Problemi është se në një listë të zgjeruar nuk u krijua hapësirë edhe për disa nga talentet që kanë kaluar nëpër ekipet zinxhir të Shqipërisë dhe janë cilësuar si e ardhmja e futbollit kuqezi.
Këtu lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
Çfarë vlere kanë ekipet U-17, U-19 dhe U-21, nëse lojtarët që formohen në to harrohen përpara se të trokasin në derën e Kombëtares së madhe?
Përse duhet të presim që një përfaqësuese tjetër të interesohet për një talent shqiptar, që edhe ne të kujtohemi për të?
Dhe mbi të gjitha: a ka Shqipëria një projekt të vërtetë për afrimin e të rinjve, apo gjithçka varet nga lista dhe rezultati i ndeshjes së radhës?
Kur Shqipëria u besonte lojtarëve me “buzët ende me qumësht”
Historia e Kombëtares shqiptare rrëzon pretendimin se një futbollist duhet të jetë 23 apo 24 vjeç për të merituar një mundësi.
Në të kaluarën, Shqipëria u ka besuar futbollistëve dhe portierëve që, siç thotë një shprehje popullore, i kishin ende “buzët me qumësht”. Por sapo hynë në fushë, treguan se talenti nuk matet me certifikatën e lindjes.
Qemal Vogli, një nga portierët më të mëdhenj të historisë sonë, debutoi me Shqipërinë në maj të vitit 1947, kur ishte vetëm 17 vjeç. Ai u bë portieri më i ri që kishte veshur deri atëherë fanellën e Kombëtares dhe më pas u shndërrua në një figurë legjendare të futbollit shqiptar.
Iljaz Çeço debutoi me Kombëtaren A më 11 tetor 1964, kundër Algjerisë, në moshën 17-vjeçare. Ai ishte ende një adoleshent, por trajneri Zyber Konçi pati guximin ta hidhte në fushë. Çeço u bë më pas një nga mesfushorët më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Medin Zhega ishte vetëm 19 vjeç e tre muaj kur luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë në vitin 1965. Ai u shndërrua në një emër të madh të Vllaznisë dhe të Kombëtares.
Sulejman Demollari debutoi në prill të vitit 1983, në moshën 18 vjeç e 11 muaj. Askush nuk tha se ishte tepër i ri apo se duhej të priste. Talentit iu dha besim dhe Demollari u bë një nga futbollistët më të mëdhenj që ka prodhuar Shqipëria.
Ndoshta shembulli më domethënës është ai i Blendi Nallbanit. Portieri i njohur si “Tata” debutoi më 26 prill 1989, kundër Anglisë në stadiumin “Wembley”, kur ishte vetëm 17 vjeç, 10 muaj e 27 ditë.
Një adoleshent shqiptar u vendos përballë një prej kombëtareve më të forta të botës, në një nga stadiumet më të famshme të futbollit. Shqipëria humbi 5–0, por paraqitja e Nallbanit u vlerësua edhe nga mediat angleze. Ai tregoi se një portier i ri mund ta përballojë përgjegjësinë kur dikush ka guximin t’i besojë.
Këta emra nuk u bënë të mëdhenj përpara se të thirreshin në Kombëtare. U bënë të mëdhenj edhe sepse Kombëtarja u dha mundësinë të rriteshin.
Edhe Shqipëria moderne ka besuar tek të rinjtë
Në kohët moderne kemi shembullin e Mario Mitajt, i cili debutoi me Shqipërinë më 31 mars 2021, kundër San Marinos, në moshën 17 vjeç e shtatë muaj. Ai kishte kaluar nëpër ekipet kuqezi të moshave dhe u afrua natyrshëm me Kombëtaren A.
Sot Mitaj është një nga lojtarët e rëndësishëm të Shqipërisë. Nëse atëherë do të ishte konsideruar “shumë i ri”, ndoshta rruga e tij ndërkombëtare do të kishte marrë një drejtim tjetër.
Edhe Elseid Hysaj debutoi vetëm 19 vjeç dhe më pas u shndërrua në një nga lojtarët me më shumë ndeshje në historinë e Kombëtares.
Pra, as historia dhe as përvoja moderne nuk e mbështesin idenë se të rinjtë duhet të presin pafundësisht. Kur talenti, personaliteti dhe forma ekzistojnë, mosha nuk duhet të përdoret si justifikim.
Europa nuk pret që talentet të plaken
Spanja i dha Lamine Yamalit debutimin kur ishte vetëm 16 vjeç. Gavi debutoi në moshën 17-vjeçare, ndërsa Franca aktivizoi Warren Zaïre-Emery po në moshën 17-vjeçare. Anglia u ka dhënë mundësi Jude Bellinghamit dhe Myles Lewis-Skellyt që në moshë shumë të re.
Këto kombëtare nuk pritën që talentet të bëheshin futbollistë të përfunduar. I afruan me ekipin e parë, i stërvitën pranë lojtarëve më të mirë dhe u dhanë minuta në fushë.
Në të njëjtën rrugë po ecën edhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara. Mes të rinjve të grumbulluar është përfshirë edhe Adri Mehmeti, futbollist me origjinë shqiptare që më parë ka përfaqësuar Shqipërinë në nivelet e moshave.
Amerikanët po i tregojnë Mehmetit se e konsiderojnë pjesë të projektit të tyre. Ndërsa Shqipëria rrezikon të humbasë një tjetër futbollist të cilin e ka pasur më parë brenda sistemit të saj.
Rasti Mehmeti duhet të shërbejë si alarm
Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë talente.
Nuk mund të investosh te një futbollist përmes ekipeve U-17, U-19 apo U-21 dhe më pas ta harrosh kur ai afrohet me moshën e ekipit të parë. Nuk mund të presësh që një kombëtare tjetër ta grumbullojë dhe vetëm atëherë të pyesësh se përse e humbëm.
Natyrisht, askush nuk duhet të thirret vetëm për t’u “bllokuar”. Fanella kuqezi duhet të fitohet me cilësi, formë sportive dhe perspektivë.
Por grumbullimi në një listë të zgjeruar, pjesëmarrja në stërvitje dhe aktivizimi për disa minuta nuk janë dhurata. Janë pjesë e një strategjie për të mbrojtur dhe zhvilluar të ardhmen e Kombëtares.
Pikërisht këtu qëndron kritika ndaj zgjedhjeve të Maranit. Nëse kishte vend për eksperimente dhe emra të rinj, përse nuk kishte vend edhe për disa nga talentet më të spikatura të ekipeve kuqezi të moshave?
A duhet të presin këta lojtarë deri në moshën 24 apo 25-vjeçare?
A duhet të marrin më parë një ftesë nga një kombëtare tjetër, që Shqipëria të kujtohet për ta?
Apo mos vallë puna e ekipeve zinxhir mbaron sapo përfundon një ndeshje kualifikuese?
Rolando Maran ka të drejtën të zgjedhë lojtarët që i përshtaten filozofisë së tij dhe do të mbajë përgjegjësinë për rezultatet. Sina dhe Kerjota duhet të gjykohen për atë që do të tregojnë në fushë dhe jo për faktin se publiku i njeh pak.
Por Kombëtarja nuk mund të jetojë vetëm për katër ndeshjet e ardhshme. Ajo duhet të mendojë edhe për katër apo tetë vitet që vijnë.
Nga Qemal Vogli dhe Iljaz Çeço, te Sulejman Demollari, Blendi Nallbani dhe Mario Mitaj, historia na ka treguar se Shqipëria ka fituar sa herë ka pasur guximin t’u besojë të rinjve.
Talentet nuk mjafton vetëm t’i zbulosh. Duhet t’i afrohesh, t’u japësh besim, minuta dhe bindjen se janë pjesë e së ardhmes kuqezi.
Përndryshe, do të vazhdojmë t’i formojmë për Shqipërinë dhe t’i shohim duke luajtur për kombëtaret e tjera.