Football
Mario Mitaj bëhet genovez, firmos me klubin e Serie A
Për afrimin e tij foli edhe drejtuesi sportiv i Genoas, Diego Lopez. “Mario është një lojtar që ndërthur dy karakteristika shumë të rëndësishme: cilësinë teknike në ndërtimin e lojës dhe forcën mendore që kërkohet për të luajtur me Genoan. Mirë se erdhe, Mario”,
Mario Mitaj është zyrtarisht futbollisti më i ri i Genoas. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare rikthehet në futbollin evropian, duke u transferuar nga Al-Ittihad në kampionatin italian.
Klubi kuqeblu njoftoi se ka arritur marrëveshjen me Al-Ittihad për huazimin e 22-vjeçarit shqiptar për një sezon, me të drejtë blerjeje në përfundim të tij.
Sipas mediave italiane, Genoa do të paguajë 2 milionë euro për huazimin, ndërsa kartoni i Mitajt mund të blihet për 4.5 milionë euro të tjera. Nëse klubi italian aktivizon opsionin, vlera e përgjithshme e transferimit do të arrijë në 6.5 milionë euro.
Mitaj mbërriti në qytetin e Xhenovës, kreu me sukses kontrollet mjekësore dhe më pas hodhi firmën mbi kontratë. Mbrojtësi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 2.
“Transferimi te një klub si Genoa dhe në kampionatin e Serie A ishte një objektiv për mua. Jam shumë i motivuar dhe mezi pres të filloj punën në një ambient që ofron stimuj të mëdhenj”, deklaroi Mitaj për faqen zyrtare të klubit.
Për afrimin e tij foli edhe drejtuesi sportiv i Genoas, Diego Lopez.
“Mario është një lojtar që ndërthur dy karakteristika shumë të rëndësishme: cilësinë teknike në ndërtimin e lojës dhe forcën mendore që kërkohet për të luajtur me Genoan. Mirë se erdhe, Mario”, u shpreh Lopez.
Mitaj, i cili më 6 gusht mbush 23 vjeç, numëron 32 paraqitje me Kombëtaren shqiptare. Ai ishte titullar në të gjitha ndeshjet e Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2024.
I formuar në akademinë e AEK-ut të Athinës, Mitaj ka luajtur gjithashtu për Lokomotivën e Moskës dhe Al-Ittihad. Në Arabinë Saudite fitoi kampionatin dhe Kupën e Mbretit në sezonin 2024–2025.
Për mbrojtësin shqiptar kishte interesim edhe nga Roma, si dhe nga disa klube portugeze, por Genoa lëvizi më shpejt dhe siguroi firmën e tij.
Transferimi në Serie A përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e Mario Mitajt, i cili tashmë do të ketë mundësinë të tregojë cilësitë e tij në një prej kampionateve më të forta të Evropës. Mitaj pritet të udhëtojë menjëherë me skuadrën drejt Anglisë për turneun përgatitor