EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Mbrëmje historike në Shkodër! Shqipëria e vajzave shkatërron Malin e Zi 5-2 dhe prek ëndrrën e Botërorit” Football

Mbrëmje historike në Shkodër! Shqipëria e vajzave shkatërron Malin e Zi 5-2 dhe prek ëndrrën e Botërorit”

Shqipëria e vajzave shkruan historinë, siguron play-off-in e Botërorit “Brazil 2027” me një triumf spektakolar ndaj Malit të Zi

By Albano Kolonjari ·

SHKODËR – Një mbrëmje historike për futbollin shqiptar të vajzave. Kombëtarja e Shqipërisë arriti një fitore madhështore 5-2 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi”, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të Botërorit të Femrave “Brazil 2027”. Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, vajzat kuqezi treguan karakter, cilësi dhe forcë mentale, duke përmbysur dy herë rezultatin dhe duke dhuruar një paraqitje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve shqiptarë. Ndeshja nisi me Shqipërinë në sulm. Fortesa Berisha goditi traversën që në minutën e katërt, ndërsa Ezmiralda Franja dhe po Fortesa krijuan raste të pastra përpara portës kundërshtare. Megjithatë, ishin malazezet që kaluan të parat në avantazh në minutën e 19-të me Medina Dešić. Vetëm një minutë më vonë erdhi momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit. Portierja e Malit të Zi, Ajsa Kalac, ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj kapitenes Megi Doçi dhe u ndëshkua me karton të kuq. Nga pika e bardhë, Doçi nuk gaboi dhe barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 23-të. Edhe pse me një lojtare më pak, Mali i Zi surprizoi sërish në minutën e 44-t me golin e Jasna Đoković, duke kaluar në avantazh 2-1. Por reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm. Në kohën shtesë të pjesës së parë, Fortesa Berisha finalizoi një aksion model dhe riktheu baraspeshën, duke mbyllur 45 minutat e para me rezultatin 2-2. Në pjesën e dytë, Shqipëria dominoi plotësisht lojën. Kapitenia Megi Doçi mori përsipër rolin e lideres dhe në minutën e 62-të realizoi golin e dytë personal, duke i dhënë avantazhin e shumëpritur skuadrës kuqezi. Vetëm katër minuta më vonë, zëvendësuesja Gresa Berisha la menjëherë gjurmë. E aktivizuar në minutën e 64-t, ajo shënoi në të 66-tën pas një asisti të shkëlqyer nga Ezmiralda Franja, duke çuar rezultatin në 4-2. Festivali i golave u mbyll në minutën e 69-të, kur mbrojtësja Arbiona Bajraktari shfrytëzoi një tjetër asist perfekt të Franjës dhe vulosi fitoren e madhe 5-2. Kapitenia Megi Doçi ishte padyshim heroina e mbrëmjes me dy gola dhe një paraqitje lideri, ndërsa Ezmiralda Franja shkëlqeu me dy asiste vendimtare në momentet kyçe të sfidës. Po aq i rëndësishëm ishte edhe kontributi i Fortesa Berishës, Gresa Berishës dhe Arbiona Bajraktarit në suksesin historik të kuqezinjve. Falë këtij triumfi, Shqipëria siguron vendin në play-off-in e Botërorit “Brazil 2027”, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B. Një sukses që dëshmon rritjen e vazhdueshme të futbollit të vajzave në Shqipëri dhe që i jep kombëtares sonë një vend të merituar në historinë e sportit shqiptar.

FootballNational Team