Football
MBROJTJA E PARTIZANIT NË DITË TË VËSHTIRA, BRATU: “PËSOJMË GOLA SHUMË TË LEHTË”
Të kuqtë u mposhtën 4–2 nga Dinamo City në derbi, duke çuar në tetë numrin e golave të pësuar. Trajneri Florin Bratu pranoi problemet në prapavijë, por vlerësoi karakterin dhe shpirtin luftarak të skuadrës.
Partizani po kalon ditë të vështira në repartin e mbrojtjes. Humbja 4–2 përballë Dinamo City në Vorë nxori edhe një herë në pah pasigurinë e prapavijës së kuqe, e cila ka pësuar tetë gola deri tani në kampionat.
Skuadra e Florin Bratut krijon, kontrollon topin dhe arrin të dalë me shpejtësi në kundërsulm, por gabimet individuale, humbja e topave në mesfushë dhe problemet në goditjet standarde po e penalizojnë rëndë.
Pas përfundimit të derbit, trajneri i Partizanit nuk i fshehu shqetësimet për numrin e lartë të golave të pësuar.
“Është e vërtetë që kemi pësuar tetë gola. Janë gola shumë të lehtë. Edhe në pjesën e parë mendoj se humbëm shumë raste. Jemi mirë në kontrollin e topit, por dhurojmë shumë topa në mesfushë. Ishte përsëri një gol nga goditja standarde dhe për këtë jam i mërzitur, sepse punojmë shumë në stërvitje”, deklaroi Bratu për emisionin “Super Gol” në RTSH.
Katër gola në shtëpi, alarm për prapavijën
Të pësosh katër gola në një derbi dhe në shtëpi është një sinjal alarmi për një skuadër që synon fitoret dhe vendet e para. Partizani tregoi probleme në vendosje, reagim të vonuar pas humbjes së topit dhe mungesë sigurie në momentet vendimtare.
Bratu e pranoi se ka ardhur koha për një analizë të thellë:
“Nuk është gjë e mirë të pësosh katër gola në shtëpi. Tani është momenti që të analizojmë. Duhet të përmirësohemi dhe të marrim pikët, sepse objektivi ynë është të fitojmë.”
Pavarësisht rezultatit, trajneri rumun gjeti edhe elemente pozitive në paraqitjen e skuadrës. Ai vlerësoi reagimin në pjesën e dytë dhe kontributin e Markut dhe Fadairos, me këtë të fundit që shënoi nga krahu i djathtë.
“Mendoj se në pjesën e dytë, Marku dhe Fadairo bënë një punë shumë të mirë. Duhet të provojmë të shtyjmë më shumë nga të dy krahët. Në përgjithësi, skuadra ime lufton dhe ka sjellje të mirë. Më pëlqeu karakteri i saj”, shtoi Bratu.
Sulmi premton, mbrojtja shqetëson
Partizani ka treguar se zotëron cilësi dhe shpejtësi në fazën sulmuese, por ekuilibri ndërmjet reparteve vazhdon të mungojë. Kur një skuadër shënon dy gola në derbi, por largohet nga fusha pa pikë, problemi kryesor duhet kërkuar në prapavijë.
Florin Bratu kërkon kohë për të analizuar dhe korrigjuar gabimet. Megjithatë, në një kampionat ku çdo pikë ka peshë, Partizani duhet të reagojë shpejt. Karakteri dhe lufta janë të rëndësishme, por pa një mbrojtje të organizuar dhe të qëndrueshme, objektivi për të fituar do të mbetet gjithmonë më i vështirë.