Football
Me brekë nëpër këmbë!
Shqipëria mund San Marinon në frymën e fundit, por pas tri pikëve fshihet një paraqitje që kërkon përgjegjësi.
Shqipëria fitoi 2–1 ndaj San Marinos, por kush e pa ndeshjen e ka të vështirë të besojë te ky ekip. Në “Air Albania”, përballë skuadrës së fundit në renditjen e FIFA-s, kuqezinjve iu desh një penallti në minutën e 93-të për t’i shpëtuar një barazimi turpërues. Një “dhuratë” shpëtimi në fund për një Shqipëri që kishte bërë gjithçka për ta komplikuar vetë ndeshjen.
Një fitore “me brekë nëpër këmbë”, siç do ta përshkruante populli. Shqipëria hyri në fushë për të konfirmuar epërsinë dhe për të përmirësuar golavarazhin, por përfundoi duke luftuar dëshpërimisht për të shmangur poshtërimin sportiv.
Deri në minutën e 89-të, tabela tregonte 1–1. San Marino kishte ardhur në Tiranë si kundërshtari që të gjithë prisnin ta mundnim dhe po i afrohej një rezultati që do të na ndiqte gjatë. Ankthi në stadium ishte pasqyra e asaj që ndodhte në fushë: Shqipëria kishte humbur qartësinë, durimin dhe autoritetin.
Gjithçka nisi ndryshe. Goli i Asllanit në minutën e 11-të duhej t’i hapte rrugën një fitoreje të sigurt. Kuqezinjtë krijuan raste, por nuk i shfrytëzuan. Pastaj, në vend që të këmbëngulnin me të njëjtin seriozitet, nisën të luanin sikur avantazhi të mjaftonte dhe kundërshtari të mos kishte forcë për të reaguar.
Pikërisht aty filloi dështimi ynë. Shqipëria e konsideroi të përfunduar një punë që sapo e kishte nisur.
Ritmi ra, pasimet humbën qëllimin dhe mesfusha pushoi së lidhuri skuadrën. Topi qarkullonte, por loja nuk përparonte siç duhej. Sulmi kërkonte zgjidhje të veçuara, ndërsa prapa krijoheshin hapësira që San Marino nisi t’i shfrytëzonte me gjithnjë e më shumë besim.
Një skuadër serioze e ndien kur ndeshja po i rrëshqet nga duart. Shqipëria priti derisa kundërshtari ia përplasi problemin në fytyrë me golin e barazimit.
Lazzari shënoi në minutën e 66-të dhe heshti stadiumin. Ai gol ndëshkoi humbjen e përqendrimit dhe çarjet në organizimin tonë. Kur heq dorë nga puna kolektive dhe secili nis të kërkojë çastin e vet të lavdisë, çdo kundërshtar mund të të vërë në vështirësi.
Pas barazimit pamë një Shqipëri të nxituar, të nervozuar dhe të shpërndarë. Dëshira për ta fituar ndeshjen ishte e dukshme, por mungonte mënyra për ta bërë. Të gjithë donin të shënonin. Gjithnjë e më pak dukej se mendonin si duhej të shënonte skuadra.
Kjo është një nga pikat më shqetësuese të kësaj mbrëmjeje. Kombëtarja nuk mund të kthehet në një skenë ku secili kërkon të bëhet hero. Kur gjuajtja personale bëhet më e rëndësishme se pasimi i duhur, sulmuesi penalizon ekipin. Rastet shpërdorohen, nervozizmi shtohet dhe tifozët përjetojnë zhgënjim pas zhgënjimi.
Kapiteni Berat Gjimshiti e pranoi këtë pas ndeshjes: të gjithë kërkonin golin, por duhej luajtur bashkë. Një konstatim i rëndë, sepse nxjerr në pah mungesën e disiplinës kolektive pikërisht në momentet kur ajo nevojitej më shumë.
Edhe më therës ishte përshkrimi i tij për mesfushën: boshllëqe, topa të dytë të humbur dhe një San Marino më agresiv. Kur kapiteni thotë se kundërshtari i dukej sikur kishte më shumë cilësi, çdo përpjekje për ta zbukuruar këtë fitore bëhet e panevojshme.
Mesfusha duhej ta mbante ndeshjen nën kontroll. Në vend të kësaj, ajo lejoi që Shqipëria të ndahej në pjesë. Sulmi kërkonte golin, mbrojtja përballonte rrezikun dhe ndërmjet tyre mungonte siguria që i jep një skuadre drejtim. Në atë gjendje, edhe një rival modest mund të duket i madh.
Por përgjegjësia nuk përfundon te lojtarët. Rolando Maran duhet të përgjigjet për mënyrën si skuadra e tij e humbi ritmin dhe për kohën që iu desh pankinës të reagonte.
Trajneri pranoi se Shqipëria mendoi se kishte fituar. Pranoi gjithashtu se kjo skuadër bën keq kur përpiqet të ngadalësojë dhe të menaxhojë. Atëherë përse një dobësi e njohur u lejua të përsëritej?
Një problem që trajneri e njeh duhet të korrigjohet në përgatitje dhe gjatë ndeshjes. Përndryshe, analiza pas përfundimit mbetet përshkrim i dëmit.
Maran tha se skuadra ishte në kontroll, ndonëse po luante ngadalë dhe keq. Por çfarë vlere ka një kontroll i tillë? Nëse nuk e ndëshkon kundërshtarin, humbet duelet dhe e lejon të rritet në lojë, po administron rrezikun. Shqipëria e pagoi këtë vetëkënaqësi me barazimin.
Pankina duhej ta zgjonte skuadrën përpara se të zgjohej i gjithë stadiumi nga goli i San Marinos. Ndërhyrjet e vonuara dhe reagimi nën presion e kthyen fundin e ndeshjes në një përpjekje shpëtimi.
Në minutën e 93-të erdhi penalltia, e akorduar pas ndërhyrjes së VAR-it, dhe Asllani mori përgjegjësinë për ta kthyer në gol. Ishte çasti që na nxori nga makthi, por edhe çasti që tregoi sa afër dështimit kishim shkuar. Shqipëria kishte mbetur duke pritur njëmbëdhjetëmetërshin e fundit për të mundur San Marinon në shtëpi.
Asllani meriton vlerësim për golat dhe qetësinë në fund. Por Kombëtarja nuk mund të mbështetet te një lojtar që të zgjidhë atë që të tjerët, bashkë me pankinën, e kanë komplikuar gjatë ndeshjes.
Tri pikët na mbajnë në vendin e parë. Mirëpo vendi i parë nuk e fshin atë që pamë. Madje duhet të na shqetësojë edhe më shumë: kemi një mundësi për të fituar grupin dhe po e vëmë në rrezik me një lojë që lëkundet sapo humbet përqendrimi.
San Marino meriton respekt. Luftoi, besoi dhe shfrytëzoi dobësitë tona. Askush nuk na detyroi ta nënvlerësonim. Përgjegjësia për këtë mbrëmje është e Shqipërisë, e lojtarëve që humbën disiplinën dhe e trajnerit që nuk e ndali rënien në kohë.
Tifozët e mbështetën skuadrën deri në fund. Ata kishin ardhur për të parë një Kombëtare që luan me krenari dhe përfunduan duke iu lutur minutave të fundit. Besnikëria e tyre meriton shumë më tepër seriozitet në fushë.
Shqipëria luajti me shumë prej titullarëve të saj dhe dha një nga paraqitjet më të dobëta që mund të pranohet përballë një kundërshtari të këtij niveli. Maran dhe stafi i tij mbajnë përgjegjësinë e plotë për përgatitjen, organizimin dhe drejtimin e skuadrës. Lojtarët mbajnë përgjegjësinë për angazhimin dhe vendimet e tyre në fushë.
Përballë San Marinos, lodhja nuk mund të shërbejë si alibi për një rënie të tillë. Nëse titullarët ishin të lodhur, ku ishin alternativat? Përse skuadra nuk u freskua në kohë? Çfarë vlere ka pankina nëse nuk përdoret për të ndryshuar një ndeshje që po shkon keq?
Këtu lind edhe pyetja për të ardhmen: ku janë të rinjtë që duhet të sjellin energji dhe konkurrencë? Në futbollin elitar shohim 17–18-vjeçarë të marrin përgjegjësi dhe të luajnë me sukses. Shqipëria duhet të krijojë hapësirë për talentet që e meritojnë, sidomos kur lojtarët e zakonshëm nuk arrijnë të japin atë që kërkon ndeshja.
Askush nuk duhet të aktivizohet vetëm sepse është i ri. Por askush nuk duhet ta ketë vendin të garantuar vetëm sepse ka qenë titullar. Kombëtarja ka nevojë për konkurrencë reale, për alternativa të besueshme dhe për guxim në përzgjedhje.
Përpara janë ndeshjet me Finlandën në “Air Albania” dhe me Bjellorusinë në transfertë. Koha në dispozicion të Maranit është e kufizuar. Ajo duhet përdorur për të korrigjuar lidhjen e mesfushës, bashkëpunimin në sulm dhe sigurinë e gjithë skuadrës, jo për të shpresuar se problemet do të zhduken vetë.
Edhe porta kërkon siguri. Le të shpresojmë në rikuperimin e plotë të Strakoshës, por trajneri duhet të ketë zgjidhje të përgatitura edhe për mungesën e tij. Një ekip që synon vendin e parë nuk mund të mbetet peng i gatishmërisë së një lojtari.
Kjo nuk është Shqipëria që duam. Duam një skuadër që respekton kundërshtarin duke dhënë maksimumin, sulmues që punojnë për golin e ekipit dhe një trajner që i zgjidh problemet përpara se ato të bëhen krizë.
Fjalia “morëm tri pikët” nuk mjafton. As rastet e krijuara në pjesën e parë nuk mund të përdoren si alibi për atë që ndodhi më pas. Futbolli kërkon të përfundosh punën që nis.
Maran, koha nuk pret. Tashmë lojtarët i njeh. Dobësitë i ke parë dhe vetë i ke pranuar. Tani duhen vendime, ndryshime dhe një skuadër që të bindë në fushë.
Në “Air Albania”, Shqipëria fitoi ndeshjen, por dështoi në provën e seriozitetit. Penalltia na shpëtoi këtë herë. Në ndeshjen tjetër, skuadra duhet të jetë e aftë të shpëtojë vetë.