EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
MELISA BOÇI, KAMPIONIA E ITALISË QË DO TË LUFTOJË PËR SHQIPËRINË NË BOTËRORIN E MMA-SË National Team

MELISA BOÇI, KAMPIONIA E ITALISË QË DO TË LUFTOJË PËR SHQIPËRINË NË BOTËRORIN E MMA-SË

Fituesja e Kampionatit Italian Absolut 2025 do të përfaqësojë Shqipërinë në Botërorin IMMAF, që zhvillohet nga 1 deri më 7 nëntor në Tbilisi. Pas këtij turneu, 25-vjeçarja synon kalimin në MMA-në profesioniste dhe ëndrrën e madhe për të arritur në UFC.

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Nga një garazh i thjeshtë në Itali, ku nisi të stërvitej vetëm për t’u argëtuar, deri te Kampionati Botëror i MMA-së me flamurin kuqezi mbi supe. Kjo është historia e Melisa Boçit, 25-vjeçares së lindur dhe rritur në Prato, nga prindër shqiptarë me origjinë nga Elbasani.

Melisa e nisi rrugëtimin në artet marciale mikse në vitin 2022. Në atë kohë nuk mendonte se do të ndërtonte një karrierë sportive dhe madje besonte se ishte shumë vonë për të filluar garat. Por stërvitjet, përballjet e para dhe rezultatet e arritura i ndryshuan shpejt drejtimin e jetës.

“E fillova para katër vjetësh. E nisa si lojë, por më vonë kuptova se kam shpirt gare dhe më pas nisa të zhvilloj ndeshje”, ka treguar Boçi në një intervistë për Report TV.

Puna dhe përkushtimi sollën edhe rezultatet e para të rëndësishme. Melisa regjistroi fitore me TKO në garat kombëtare dhe në vitin 2025 u rendit e para në Kampionatin Italian Absolut të MMA-së amatore, duke u shpallur kampione e Italisë.

Në renditjen zyrtare të turneut, Boçi zuri vendin e parë, përpara italianeve Teresa Parlato dhe Alice Farnedi. Ky sukses i hapi rrugën një etape edhe më të madhe: përfaqësimit të Shqipërisë në arenën botërore.

Sipas databazës së specializuar Tapology, luftëtarja shqiptare numëron tetë fitore dhe tri humbje në MMA-në amatore.

“GRUSHTET NUK JANË TË FRIKSHME”

MMA-ja është një sport që kërkon forcë, teknikë, disiplinë dhe guxim. Për Melisën, megjithatë, goditjet dhe përballjet e forta brenda kafazit nuk përbëjnë një pengesë.

“Mua më pëlqen. Nuk kam frikë. Grushtet nuk janë të frikshme”, ka deklaruar ajo.

Përpara se të zbulonte artet marciale mikse, Melisa nuk kishte një objektiv të qartë. Ajo ka treguar se MMA-ja i solli disiplinë, motivim dhe një mënyrë të re jetese.

“Artet marciale mikse më kanë shpëtuar nga një jetë pa drejtim. Është sikur më kanë dhënë një mundësi të dytë për të jetuar një jetë të plotë”, ka rrëfyer luftëtarja shqiptare.

Përgatitja e saj tashmë është intensive. Ajo zhvillon dy deri në tri seanca stërvitore në ditë dhe ka marrë pjesë edhe në kampe ndërkombëtare në Australi e Serbi, ku është stërvitur përkrah luftëtareve profesioniste dhe sportisteve të nivelit të lartë.

SHQIPËRIA, ZGJEDHJA E ZEMRËS

Melisa ka lindur në Itali dhe ende nuk e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, por lidhja e saj me vendin e origjinës së prindërve është shumë e fortë. Vendimi për të garuar me flamurin kuqezi ishte një zgjedhje zemre.

“Kam lindur në Itali, por Shqipëria është në zemrën time. Më pëlqen kultura shqiptare. Shqip nuk di shumë mirë, por do ta mësoj. Kam mbështetjen e shqiptarëve dhe jam shumë e lumtur që do ta ngre lart flamurin shqiptar”, është shprehur ajo.

Për vite me radhë, Boçi është ndier mes dy identiteteve: italiane për shkak të vendlindjes dhe shqiptare për shkak të origjinës. Tani, brenda kafazit, këto dy pjesë të jetës së saj do të bashkohen.

Në këndin e saj do të jetë trajneri italian Matteo Casini, së bashku me përfaqësuesit e ekipit kombëtar shqiptar. Për Melisën, ky bashkëpunim tregon se dy kulturat mund të bashkohen dhe të krijojnë sportistë të nivelit të lartë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të MMA-së, Arjan Rizai, e ka cilësuar afrimin e saj si një zhvillim të rëndësishëm për ekipin kombëtar.

“Melisa është një sportiste shumë e fortë. Rivalet e saj janë në UFC dhe në ligat më të forta të botës. Ajo është kampione e Italisë dhe është krenari për ne që ta mbështesim”, ka deklaruar Rizai.

KUR DO TË LUFTON MELISA BOÇI?

Kampionati Botëror IMMAF 2026 do të zhvillohet nga 1 deri më 7 nëntor në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Për momentin nuk është hedhur shorti, ndaj ende nuk dihet kundërshtarja e parë dhe dita e saktë kur Melisa do të hyjë në kafaz. Programi individual do të përcaktohet pas mbylljes së regjistrimeve dhe publikimit të shortit zyrtar.

Në varësi të numrit të pjesëmarrëseve dhe rezultateve, ajo mund të zhvillojë disa ndeshje gjatë javës së Botërorit. Nëse kalon raundet eliminuese, Boçi do të rikthehet disa herë në kafaz deri në finalen e mundshme.

Trajneri Matteo Casini beson se sportistja shqiptare i ka të gjitha mundësitë për të luftuar për vendin e parë.

“Melisa është luftëtarja më e zonja në ekipin tim. Ajo stërvitet pa ndërprerje, dy herë në ditë. Objektivi në Kampionatin Botëror është medalja e artë, sepse besoj se i kemi të gjitha mundësitë”, ka thënë Casini.

Edhe Melisa nuk e fsheh ambicien e saj.

“Do të shkoj për medalje. Kundërshtaret janë shumë të forta, por unë kam shpirt gare. I kam të gjitha mundësitë për të fituar. Medaljen e artë e meritoj dhe do të shkoj ta marr”, ka deklaruar ajo.

BOTËRORI, NDALESA E FUNDIT PARA PROFESIONIZMIT

Botërori i Tbilisit pritet të jetë gara e fundit e Melisa Boçit në MMA-në amatore. Pas këtij turneu, ajo synon të kalojë mes profesionisteve dhe të nisë një kapitull të ri në karrierë.

Ëndrra përfundimtare është UFC-ja, organizata më e madhe dhe më prestigjioze e arteve marciale mikse në botë. Kalimi në UFC nuk është ende zyrtar, por mbetet objektivi më i madh i saj për të ardhmen.

Përpara se të mendojë për skenën profesioniste, Melisa ka një mision të rëndësishëm në Tbilisi: të luftojë për medaljen e artë dhe ta ngrejë flamurin shqiptar në podiumin botëror.

Nga garazhi ku nisi gjithçka, te titulli kampione e Italisë dhe tashmë te fanella e Shqipërisë. Melisa Boçi është gati të shkruajë kapitullin më të rëndësishëm të historisë së saj.

National Team