
Nëndetësja fut ujë nga të katër anët! Dinamo e plagosur mposhtet nga Astana më e dobët e viteve të fundit
UEFA Conference League
ELBASAN – Dinamo City e nisi me humbje rrugëtimin në UEFA Conference League, pasi u mposht 1-0 nga FC Astana në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues, të zhvilluar në "Elbasan Arena". Golin e vetëm të sfidës e realizoi Ramazan Karimov në minutën e 69-të, pas një asistimi të veteranit Marin Tomasov, duke i dhënë kampionëve të Kazakistanit një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Edhe pse rezultati mbetet minimal, paraqitja e skuadrës së Ilir Dajës ngriti shumë pikëpyetje. Një Dinamo e ndryshuar ndjeshëm nga sezoni i kaluar, e goditur nga largimet e futbollistëve kyç dhe ndryshimet në formacionin bazë, nuk arriti të shfaqte forcën që pritej në debutimin europian.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me Dinamon që tentoi të kontrollonte lojën, por rastet më të pastra i krijuan kazakët. Portieri Teqja mbajti gjallë shpresat e kryeqytetasve me disa pritje vendimtare, ndërsa në minutën e 12-të Malomo Ayodeji shpërdoroi një mundësi të mirë për vendasit.
Në pjesën e dytë, pas një serie zëvendësimesh nga të dy trajnerët, Astana goditi në kundërsulm. Në minutën e 69-të, Marin Tomasov shërbeu për Ramazan Karimov, i cili nuk gaboi përballë portës, duke shënuar golin që vendosi fatin e takimit.
Kronologjia e ndeshjes 1' – Dinamo fiton goditjen e parë nga këndi. 12' – Ayodeji humbet një rast të mirë për vendasit. 62' – Ilir Daja aktivizon Flamur Rucin dhe Erion Hoxhallarin. 69' – Ramazan Karimov 0-1, pas asistit të Marin Tomasov. 74'-76' – Astana forcon mbrojtjen me aktivizimin e Merkel dhe Shomkos, ndërsa Dinamo hedh në fushë Fadairon dhe Silva-Richards në kërkim të barazimit. Një Astana larg shkëlqimit të viteve të fundit
Ironikisht, Dinamo u mund nga një Astana që po kalon një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit. Skuadra e drejtuar nga Grigori Babayan renditet vetëm në vendin e katërt në kampionatin kazak, është eliminuar herët nga Kupa e Kazakistanit dhe kishte kaluar një periudhë të gjatë pa fitore në transfertë në kampionat.
Megjithatë, ekipi kazak tregoi eksperiencën europiane, menaxhoi me qetësi momentet vendimtare dhe shfrytëzoi mundësinë e vetme serioze për të marrë një fitore me shumë vlerë në Elbasan.
Mision i vështirë në Kazakistan
Humbja 1-0 nuk e eliminon Dinamon, por e vendos përballë një sfide shumë të vështirë në ndeshjen e kthimit në Astana. Kryeqytetasit do të kenë nevojë për një fitore në transfertë për të mbajtur gjallë ëndrrën europiane dhe për të përmbysur disavantazhin.
Pas largimeve të shumta dhe ndryshimeve të rëndësishme në organikë, skuadra ende duket larg formës së sezonit të kaluar. Debutimi në Conference League tregoi se ka ende shumë punë për të bërë.
Për momentin, "nëndetësja" dinamovite duket se po fut ujë nga të katër anët dhe shanset për kualifikim janë bërë dukshëm më të vogla, edhe pse jo të pamundura.