Football
Nevil Dede beson te përmbysja: “Ndeshjet e mëdha fitohen me karakter”
Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, ka folur për mediat në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kthimit kundër Shamrock Rovers, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të UEFA Europa League.
Sfida e parë, e zhvilluar në Dublin, përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të skuadrës irlandeze. Megjithatë, tekniku beson se kampionët e Shqipërisë i kanë të gjitha mundësitë për të realizuar përmbysjen e madhe.
Ndeshja Egnatia–Shamrock Rovers do të luhet nesër, në orën 21:00, në stadiumin “Arena Egnatia” në Rrogozhinë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.
“Mendoj se është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne dhe për klubin e Egnatias, por edhe për historinë e futbollit shqiptar. Kemi respekt për kundërshtarin, por besimi brenda ekipit është i madh. Çunat janë gati të japin maksimumin nesër.
Rezultati na imponon të jemi kërkues që në minutat e para. Rezultati i ndeshjes së parë na detyron që të kërkojmë të shënojmë sa më shpejt.
E rëndësishme është ta interpretojmë ndeshjen sipas cilësive që kemi. Ata kanë më shumë histori se ne si klub dhe gjithashtu më shumë eksperiencë, por unë jam i bindur në cilësitë e skuadrës sonë.
Nesër luajmë në shtëpi, përpara tifozëve tanë, dhe presim më të mirën. Ndeshjet e mëdha fitohen me karakter dhe me shumë punë në fushë. Djemtë nuk më kanë zhgënjyer asnjëherë me performancat e tyre”, deklaroi ndër të tjera trajneri Nevil Dede.