EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Një Shqipëri pa kripë Football

Një Shqipëri pa kripë

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

E keni parasysh atë moment kur jeni duke shijuar gjellën, por ajo nuk ka kripë? Ka një shije të çuditshme në gojë dhe nuk e përtyp dot. Gjëja e parë që kërkon në tavolinë për ta rregulluar atë shije është mbajtësja e kripës. Kur nuk e gjen, bëhesh nervoz, shfryn dhe ua ngre zërin atyre që ke pranë, që të të sjellin kripë. Kështu ishte edhe fitorja e Shqipërisë ndaj San Marinos. Si një gjellë që nuk mund ta hash. Rezultati 3–0 ishte aty, por shija mungonte. Kush e kishte fajin? Fusha? Lojtarët? Trajneri? Apo mentaliteti? Unë them: mentaliteti. Nuk arrijmë të sillemi si një skuadër e madhe. Vazhdojmë të kemi mentalitetin e një skuadre provinciale, ku ai që shënon do të dalë në qendër të qytetit dhe do të marrë një fletë lavdërimi.Një lojë anemike, e paqartë, e mërzitshme, aq sa në pjesën e dytë lutesh që minutat të mbarojnë sa më shpejt, për të mos parë atë mishmash në fushë që të lë një shije të hidhur. Dhe të mendosh se një ekip si San Marino, në pjesën e dytë, zotëron lojën dhe kërcënon portën kuqezi! Kjo nuk është thjesht çështje menaxhimi forcash, Maran. Mund të ulësh ritmin, por nuk mund t’ia dorëzosh lojën një kundërshtari të tillë. Shqipëria duhet ta kontrollojë ndeshjen edhe kur kursen energji. Përndryshe, rezultati të kënaq në letër, ndërsa loja të lë pikërisht atë shijen e gjellës pa kripë. “Nuk jemi një ekip i madh”, thotë trajneri i Kombëtares, Rolando Maran. Ndërsa për uljen e ritmit në pjesën e dytë pranon se “me mendje ishim te Finlanda”. Më falni, Maran, po roli juaj cili është? A nuk është detyra juaj që këtë ekip ta ndryshoni nga një ekip i vogël në një ekip të madh? Jo shumë të madh, por të madh për vetë cilësinë që kanë lojtarët, duke marrë prej tyre më të mirën. Si ka mundësi që ekipi e ka mendjen te Finlanda, kur lojtarët janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojnë për ndeshjen që po luhet, për të marrë rezultatin që duhet? Menaxhimi i forcave është pjesë e futbollit. Por të menaxhosh forcat dhe ta kesh mendjen diku tjetër janë dy gjëra të ndryshme. Mund të ulësh ngarkesën fizike pa ulur përqendrimin, seriozitetin dhe dëshirën për ta çuar deri në fund punën që ke nisur. Si ka mundësi që ju, si trajner, fshiheni pas kalendarit të ngjeshur, me katër ndeshje në dy javë? Pse, sa ndeshje bëjnë këta lojtarë me klubet e tyre gjatë periudhave të ngarkuara? Edhe atje përballen me një ritëm të tillë, madje shpesh ritmi dhe përgjegjësia janë më të larta. Prandaj, për mua, ky argument nuk e justifikon paraqitjen. Si ka mundësi që vazhdojmë të vuajmë nga individualizmi përpara portës? Të gjithë duam të bëjmë heroin, por harrojmë se heroi kryesor është skuadra dhe tifozët. Si dhe pse nuk pasojmë te shoku i skuadrës kur ai është në një pozicion më të favorshëm për të shënuar? Çfarë vlere ka të kërkosh golin tënd, nëse zgjedhja më e mirë për ekipin është një pasim? Vetë Maran pranoi se Shqipëria duhej të kishte shënuar më shumë, sepse krijoi raste. Ai vlerësoi pjesën e parë, por shpjegoi se në të dytën skuadra kaloi në menaxhim, duke marrë parasysh lojtarët me kartonë, ata që vinin nga dëmtimet dhe takimin e ardhshëm. Këto janë shpjegimet e trajnerit. Por pikërisht këtu lind debati: a mund të ndërtohet mentaliteti i një skuadre të madhe duke u kënaqur me atë që është bërë, kur në fushë ekziston mundësia për të bërë më shumë? Maran foli edhe për ndryshimin e filozofisë, për një Shqipëri që përpiqet të ndërtojë lojën dhe të përsërisë aksione të organizuara. Kjo është pozitive. Por filozofia duhet të duket edhe te vendimi i fundit: te pasimi në kohën e duhur, te lëvizja për shokun dhe te zgjedhja që i shërben skuadrës. Domethënës ishte edhe shpjegimi i tij për zëvendësimin e Manajt. Trajneri tha se kishte dashur ta largonte më herët, por sulmuesi i kërkoi të qëndronte për të shënuar. Maran i dha mundësinë, Manaj bëri gol dhe më pas u zëvendësua. Mirë që shënoi. Por kjo histori na kthen te pyetja: kush duhet ta përcaktojë vendimin në atë moment, dëshira personale e lojtarit për gol apo nevoja e skuadrës? Në një ekip që kërkon të rritet, përparësi duhet të ketë gjithmonë skuadra. Si ka mundësi që në ekipet e tjera, ose më saktë në ekipet e mëdha, siç duam të jemi edhe ne, lojtari që nuk është në njëmbëdhjetëshen e parë, kur i jepet mundësia të luajë titullar, jep më të mirën e vet? Madje përpiqet të tejkalojë edhe mundësitë e tij, për të treguar se është i denjë t’i zërë vendin lojtarit të formacionit bazë. Të njëjtën dëshirë e tregon edhe kur hyn si zëvendësues gjatë ndeshjes. Te ne ndodh e kundërta: lojtarit që i jepet mundësia, në vend që ta shfrytëzojë për të kërkuar një vend në formacion, luan nën nivelin e atij që zëvendëson. Atëherë, ku është konkurrenca? Ku është dëshira për t’i treguar trajnerit: “Unë meritoj të jem titullar”? Edhe kjo është çështje mentaliteti, Maran. Mundësia për të luajtur me Kombëtaren duhet të jetë një shtysë për të dhënë më shumë. Fanella kuqezi nuk mjafton të vishet. Duhet merituar në çdo minutë. Shqipëria fitoi dhe fitorja ka vlerën e saj. Por kritika nuk mbaron sapo në tabelë shfaqet rezultati 3–0. Të kërkosh më shumë nga kjo Kombëtare do të thotë të besosh se lojtarët e saj mund të japin më shumë. Gjella ishte në tavolinë, Maran. Por kripën duhet t’ia shtojë edhe trajneri.

FootballUEFA Nations League