EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
Partizani gati për Teutën, Bratu: “Objektivi janë trofetë” Football

Partizani gati për Teutën, Bratu: “Objektivi janë trofetë”

By Elite Sport Vizion ·

Florin Bratu ka dalë në konferencën për shtyp në prag të debutimit të Partizanit në sezonin e ri të Superiores, ku të kuqtë do të përballen me Teutën. Trajneri i Partizanit e vlerëson maksimalisht kundërshtarin, por thekson se skuadra e tij është gati për sfidën.

Bratu e konsideron këtë sezon një kapitull të ri për të dhe për klubin, duke nënvizuar ndryshimet e bëra gjatë muajve të fundit.

“Është një kapitull i ri, një jetë e re për mua dhe Partizanin. Mendoj se ka ndryshuar shumë, sidomos në dy muajt e fundit. Shpresoj ta nisim mbarë. Do të përballemi me një skuadër të mirë që drejtohet nga një trajner mjaft i mirë. Tetova është një prej trajnerëve më të mirë në Shqipëri. Ai e transformoi Egnatian dhe fitoi shumë trofe me atë skuadër. Për këtë arsye presim një ndeshje të vështirë dhe shumë të fortë. Por mendoj se ne tani jemi gati”, u shpreh Bratu.

Miqësoret, një test për idetë e reja

Trajneri ka vlerësuar punën e bërë gjatë fazës përgatitore, duke theksuar se ndeshjet miqësore i kanë shërbyer për të provuar skema dhe role të ndryshme.

“Ndeshjet miqësore na kanë shërbyer për të improvizuar disa ide rreth skuadrës dhe disa prej lojtarëve taktikisht, sipas ideve të mia. Mendoj se jemi në progres dhe po përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Tani presim kampionatin.”

Trofetë, objektivi i Partizanit

Bratu ishte i qartë edhe për objektivat e klubit kryeqytetas. Titulli kampion, Kupa e Shqipërisë dhe një paraqitje e mirë në Europë mbeten synimet kryesore.

“Gjithmonë objektivat e Partizanit janë trofetë: titulli kampion, Kupa e Shqipërisë dhe pjesëmarrja në kupat e Europës. Kjo është e rëndësishme sepse kështu tregojmë respekt për tifozët tanë. Edhe këtë vit presim të bëjmë të njëjtën gjë. Kemi shumë ambicie dhe duam të bëjmë mirë çdo ditë, në çdo ndeshje. Lojtarët janë më të rëndësishëm se unë. Mendoj se do të bëjmë më të mirën për këtë klub të madh në Shqipëri.”

Afrimet e reja

Në lidhje me lojtarët e rinj, Bratu pranoi se disa prej tyre janë bashkuar vonë me ekipin dhe nuk janë ende në maksimumin e formës.

“Disa prej lojtarëve janë bashkuar pak vonë gjatë përgatitjeve. Disa nuk janë ende gati, por mendoj se kanë eksperiencën e duhur për të debutuar këtë sezon dhe për të ndihmuar skuadrën. Ata kanë ardhur pikërisht për të na ndihmuar.”

Bratu kërkon mbështetjen e tifozëve

Në fund, trajneri i Partizanit pati një mesazh të drejtpërdrejtë për tifozët, të cilëve u kërkoi të jenë pranë skuadrës pas tre viteve pa trofe.

“E di që në tre vitet e fundit Partizanit i kanë munguar trofetë dhe e di që kjo është e vështirë për tifozët. Por unë pres që tifozët tanë të na mbështesin, sepse është tifozeria më e bukur në Shqipëri. I ftoj të jenë prezent në Vorë dhe të mbështesin skuadrën.”

Partizani–Teuta do të luhet më 22 gusht 2026, në orën 16:00, në kuadër të javës së parë të sezonit të ri. Përballja vjen me interes të madh, pasi Partizani kërkon ta nisë kampionatin me fitore, ndërsa Teuta, nën drejtimin e Edlir Tetovës, synon të hapë një kapitull të ri pas ndryshimeve të verës.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027