
Pas 11 vitesh , Sopoti rikthehet në kategorine parë
KF Sopoti Librazhd
Ishte sezoni 2014-2015 kur Sopoti pas fitores me Naftëtarin në Librazhd,ngjitet në kategorinë e parë ku militoi vetëm për dy sezone,pasi në sezonin 2016-2017 bie në kategorinë e dytë . Në se shohim statistikat e tre-katër sezoneve të fundit ,bie në sy fakti se Sopoti është renditur në tre vendet e para të grupit të kategorisë së dytë . Kjo tregon se Sopoti ka pasur një rritje graduale në vitet e fundit, duke kaluar nga sezonet e vështira pas rënies nga Kategoria e Parë, në rikthimin si një ekip konkurrues dhe sigurimin e ngjitjes në kategorinë e parë në sezonin 2025–26. Me emërimin e teknikut Rraman Hallaçi në drejtimin e ekipit në fillim të këtij sezoni që u mbyll,tek sportdashësit librazhdas dukej sikur u ringjall një shpresë të cilën ata e kishin ëndërruar prej vitesh. Një trainer që kishte fituar kampionat, kupë e Superkupa si futbollist. Megjithatë, ajo që arriti me Sopotin si trajner është po aq madhështore, për të mos thënë shumë më e vështirë. Nën drejtimin e tij dhe të stafit ekipi arriti një bilanc shumë pozitiv ,si një nga sezonet më të mira të viteve të fundit. Edhe pse kishte përballë një super ekip si Besëlidhja e Shiroka,në garën për ngjitje direkte, por nuk u dorëzua dhe me një bashkëpunim të shkëlqyer në Librazhd gradualisht krijoi një ekip dinjitoz dhe të aftë të fitonte dy ndeshje playoff, deri tek triumfi ndaj Luftëtarit favorit.,ku sic do ta cilë sonte kolegu ynë ,Moisi Dalipaj,”Sopoti ngriti flamurin në Vlorë ”. Në 21 ndeshjet e zhvilluara,mori 16 fitore,tre barazime dhe dy humbje ,me 48 gola të shënuar e 14 të pësuar dhe me nje golavarazh +34 gola me një mesatare prej 2.43 pikë për ndeshje. Dhe ajo që duhet vecuar është fakti se Sopoti kishte mbrojtjen më të mirë ,pasi rezulton se në 11 ndeshje nuk ka pësuar gol. Duke pasur në portë një portier me përvojë si Herdis Alliu i cili është aktivizuar edhe me Pogradecin e Skënderbeun , në dy ndeshjet e fundit u kthye në “hero” të skaudrës ,duke pritur dy penallti me Shirokën dhe një me Luftëtarin,por edhe një mbrojtje solide me Tanushin,Atandën,Troksin,Ukajn e Bicën,me një mesfushë si Momoh,Facial ,Rashid e kapiteni Goci,si dhe me sulmues si Myslymi e Aminu,Sopoti arriti objektivin,rikthimin në kategorinë e parë .Aty ku do të ketë përballë emra historikë të futbollit shqiptar si Flamurtari,Besa,Iliria, Kastrioti,Korabi,Burreli,Beslidhja e të tjerë . Sezoni i ri në prag… Teksa këto ditë është rikonfirmuar në krye të pankinës,tranieri kuksian,Rrahman Hallaci,këtë javë ka nisur edhe faza përgatitore e cila për shkak të rikonstruksionit të fushës sportive në Librazhd,po kryhet në kompleksin sportiv”Shefqet Lamce” ,në Elbasan. Stafi teknik po punon edhe për një merkato sa më të mirë . Burime nga klubi bëjnë të ditur se në ekip do të rinovojnë një pjesë e lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar,ndërkohë që janë hedhur sytë nga lojtarë vendas të cilët aktivizohen me klube të tjera ,duke iu bërë thirrje që të kthehen në qytetin e tyre,duke veshur fanellën e Sopotit. Këto ditë drejtuesit e ekipt “Sopoti” së bashku me drejtuesit e ekipit të Elbasanit kanë rënë dakord për bashkëpunimin mes dy ekipeve fqinje! Marrëveshja mes dy klubeve synon që Sopoti të huazojë nga AF Elbasani disa lojtarë të rëndësishëm të cilet në ekipin e parë në Abisnet Superiore nuk kanë pasur hapësirat e duhura. Drejtuesit e ekipit te Elbasanit janë treguar të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë ekipit të Sopotit. Ky bashkëpunim kaq i rëndësishëm tregon qartë se Sopoti në kategorinë e parë nuk do të jetë thjesht kalimtar sezonin që vjen . Një tjeter dakordësi është edhe fakti që ekipi i Sopotit do të zhvillojë stërvitjen në kompleksin “Shefqet Lamcja” ,aty ku dhe AF Elbasani kryen stërvitjen e tij. Mësohet se këto ditë pranë këtij ekipi kanë ardhur në provë edhe disa lojtarë afrikanë , sikurse janë një mbrojtës qendre,një mesfushor sulmues si dhe një sulmues. Nga ana tjetër në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u miratua edhe një fond shtesë për klubin sportiv,”Sopoti,si një bonus për ngjitjen në kategorinë e parë .