
Plas lufta UEFA–FIFA
Lufta për pushtet në futbollin botëror ka shpërthyer hapur. UEFA ka reaguar ashpër kundër planit të FIFA-s për krijimin e një kompanie të re tregtare, e cila do të administronte Kupën e Botës dhe kompeticione të tjera globale.
Projekti parashikon krijimin e “FIFA Forward Enterprise”, një strukturë me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. FIFA synon t’u shesë investitorëve privatë deri në 20 për qind të aksioneve, duke grumbulluar miliarda dollarë kapital të ri.
Sipas FIFA-s, të ardhurat do të përdoren për zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e 211 federatave anëtare. Por UEFA e sheh këtë lëvizje si një përpjekje për privatizimin dhe komercializimin e Kupës së Botës.
Institucioni evropian ka kritikuar mungesën e transparencës, mungesën e konsultimeve dhe afatin e vendosur nga FIFA për federatat kombëtare. UEFA e konsideron pagesën e premtuar për federatat si një përfitim të njëhershëm, i cili nuk garanton zhvillim afatgjatë.
Mesazhi nga Nioni është i qartë: futbolli dhe institucionet e tij nuk mund t’u shiten investitorëve privatë pa miratimin e klubeve, ligave, futbollistëve dhe tifozëve.
Përplasja mes dy institucioneve ishte shfaqur edhe përpara këtij propozimi. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, nuk ishte i pranishëm në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës në “MetLife Stadium”.
Sipas raportimeve mediatike, mungesa e tij u interpretua si një bojkot dhe si shenjë proteste ndaj drejtimit të FIFA-s. Čeferin ishte i pakënaqur me disa vendime disiplinore, çështje arbitrimi dhe mënyrën e organizimit të turneut. Reuters
Tani konflikti është thelluar. UEFA druhet se hyrja e kapitalit privat do t’i japë FIFA-s fuqi edhe më të madhe financiare, duke krijuar konkurrencë të drejtpërdrejtë me Ligën e Kampionëve dhe kompeticionet evropiane.
Nga ana tjetër, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e mbron projektin si një mundësi historike për të shpërndarë më shumë të ardhura dhe për të zhvilluar futbollin në të gjithë botën.
Në lojë nuk janë vetëm miliardat, por edhe kontrolli mbi kalendarin, turnetë, sponsorët, të drejtat televizive dhe të ardhmen e futbollit ndërkombëtar.
Mungesa e Čeferinit në finalen e Kupës së Botës ishte sinjali i parë i madh. Reagimi kundër projektit të ri financiar të FIFA-s tregon se marrëdhëniet kanë arritur në pikën më të ulët.
Lufta UEFA–FIFA tashmë ka plasur. Dhe beteja për kontrollin e futbollit botëror sapo ka filluar.