EVELITE SPORT VIZION
◂ Back to Elite Sport Vizion
REPLIKË ME FLORIN BRATUN: PARTIZANI NUK KA NEVOJË PËR NOTË NË SJELLJE, POR PËR PIKË Football

REPLIKË ME FLORIN BRATUN: PARTIZANI NUK KA NEVOJË PËR NOTË NË SJELLJE, POR PËR PIKË

Trajneri vlerëson karakterin e skuadrës pas humbjes 4–2 me Dinamon, por tetë golat e pësuar në katër javë dëshmojnë një problem serioz. Përballë ekspertit Ilir Daja, Partizani humbi edhe duelin taktik.

By Elite Sport Vizion. By Albano Kolonjari ·

Në këto katër javë që kam ndjekur Partizanin, kam krijuar bindjen se kjo skuadër, në gjendjen e saj aktuale, nuk është e denjë për të konkurruar për titullin kampion apo për fitimin e trofeve.

Zoti Bratu, ju nuk jeni mësues fizkulture dhe as mësues i edukatës morale e politike, si dikur në Shqipëri, që pas një humbjeje të rëndë të dilni dhe të deklaroni se skuadra “ka sjellje të mirë”. Ju jeni trajneri i Partizanit dhe detyra juaj është të ndërtoni një ekip që fiton ndeshje dhe grumbullon pikë.

Në futbollin profesionist, rezultatet nuk maten me karakterin apo me sjelljen e mirë. Rezultatet maten me pikë.

Tetë gola të pësuar nuk janë rastësi

Ndoshta nuk e njihni ende sa duhet historinë e klubit, por arma kryesore e Partizanit ndër vite ka qenë mbrojtja e pathyeshme. Pikërisht falë forcës, disiplinës dhe organizimit në prapavijë, Partizani ka fituar trofe dhe ka vendosur rekorde në futbollin shqiptar.

Sot, pas vetëm katër javësh kampionat, skuadra ka pësuar tetë gola. Katër prej tyre i pësoi në shtëpi, në derbin kundër Dinamo Cityt. Këto shifra nuk dëshmojnë vetëm një ditë të keqe, por një problem serioz në organizimin dhe ekuilibrin taktik të skuadrës.

SKEMA QË ÇBALANCOI PARTIZANIN DHE I HAPI RRUGË DINAMOS

Partizani luajti me dy futbollistë të shpejtë në krahët e mesfushës Aliu dhe David Fadairo , por ata nuk arrinin të ktheheshin plotësisht në ndihmë të mbrojtjes. Pas tyre mbeteshin hapësira të mëdha, të cilat Dinamo i shfrytëzoi me kundërsulme të shpejta dhe të organizuara.

Problemi nuk qëndronte vetëm te moskthimi i lojtarëve, por edhe te skema e gabuar e zgjedhur nga trajneri. Partizani kishte dy mesfushorë të shpejtë në krahë Aliu , Fadairo dhe sulmues të ngadaltë në qendër. Mesfushorët anësorë dilnin përballë mbrojtësve të Dinamos, por nuk kishin ku ta pasonin topin. Sulmuesit nuk arrinin t’i shoqëronin aksionet me të njëjtin ritëm.

Për këtë arsye, edhe golat e Partizanit erdhën pikërisht nga dy lojtarët e krahëve, Aliu dhe David Fadairo, dhe jo nga sulmuesit e qendrës.

Më pas në fushë u fut Toma, një futbollist shumë i shpejtë, por përkrah tij luanin dy mesfushorë të ngadaltë në ndërtimin e aksionit. Si pasojë, Toma u kap katër ose pesë herë në pozicion jashtë loje. Ai nisej me shpejtësi pas mbrojtjes kundërshtare, por pasimi vonohej. Kur topi nisej, Toma e kishte kaluar tashmë vijën e mbrojtësve të Dinamos.

Këto episode ndikojnë edhe në psikologjinë e skuadrës. Aksionet ndërpriten vazhdimisht, lojtarët humbasin besimin dhe kundërshtari fiton qetësinë e nevojshme për të kontrolluar lojën.

Toma mund të luajë si numër 9 ose si sulmues i lëvizshëm, por ai nuk është sulmuesi që mund të mbajë dhe të ulë topat për mesfushorë të ngadaltë. Forca e tij është shpejtësia dhe sulmi i hapësirës. Për ta shfrytëzuar, Partizani duhet ta furnizojë topin në kohën e duhur.

Partizani ka luajtur më parë me një model të ngjashëm, kur kishte Jasir Asanin. Por pas Asanit luante një mbrojtës si Labinot Ibrahimi, i cili nuk e lejonte kundërshtarin të hynte lehtësisht në zonë. Edhe kur Asani linte hapësira pas tij, Labinoti e ndalte kundërshtarin: ose fitonte topin, ose shkaktonte faull përpara se aksioni të bëhej i rrezikshëm.

Në skuadrën e sotme mungojnë mbrojtës të tillë të fuqishëm dhe agresivë. Për këtë arsye, kundërshtarët nuk ndalen përpara zonës, por hyjnë dhe “vallëzojnë” brenda saj.

Edhe ekuilibri mes dy krahëve ka ndryshuar. Kur Asani merrte njërin krah, Lorenc Trashi në anën tjetër nuk futej gjithmonë në thellësi. Ai qëndronte më prapa për të ruajtur ekuilibrin e skuadrës dhe për të mbuluar hapësirat në rast humbjeje të topit.

Ndërsa sot, Aliu dhe David Fadairo futen njëkohësisht në thellësi. Kur të dy avancojnë në të njëjtën kohë, mesfusha mbetet e zbuluar, mbrojtja ekspozohet dhe skuadra hapet plotësisht.

Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte Dinamo. “Nëndetësja Blu” priti gabimet e Partizanit, shfrytëzoi hapësirat dhe goditi me shpejtësi. Problemi, pra, nuk ishte vetëm te paraqitja individuale e futbollistëve, por te një skemë që nuk krijoi ekuilibër mes sulmit dhe mbrojtjes.

Partizani nuk humbi thjesht një derbi. Ai u mund nga çekuilibri i vet taktik.

Ju e dinit se përballë kishit Ilir Dajën, një trajner me përvojë të madhe në kampionatin shqiptar dhe me rezultate të rëndësishme në karrierën e tij. Daja e lexoi më mirë ndeshjen, ndërtoi një skuadër agresive në kundërsulm dhe goditi pikërisht në hapësirat që Partizani linte të pambuluara.

Në krahasimin e rezultateve dhe të arritjeve në futbollin shqiptar, ju ende nuk keni dëshmuar se jeni në nivelin e Ilir Dajës. Pikërisht për këtë arsye duhej të kishit marrë më shumë masa taktike për ta kufizuar Dinamon. Por kjo nuk ndodhi.

Pse nuk reagoi Bratu?

Pas gabimit të rëndë të Buxhelajt, ju nuk patët guximin ta linit lojtarin në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit të ndeshjes. Një veprim i tillë nuk do të ishte hakmarrje, por një mesazh i fortë për të gjithë skuadrën: në një klub si Partizani, gabimet e papranueshme kanë pasoja.

Gjithashtu, ende mungon një shpjegim i hapur për arsyen pse dy futbollistë të Partizanit përfunduan në tribunë. Ishte zgjedhje teknike, masë disiplinore apo pasojë e një problemi të brendshëm?

Tifozët kanë të drejtë ta dinë.

A nuk do të ishte më e ndershme të flisnit hapur dhe të shpjegonit pse Partizani ndodhet në këtë situatë? Apo stafi teknik ende nuk ka arritur ta kuptojë plotësisht problemin?

Dinamo fitoi edhe duelin taktik

Dinamo tregoi qetësi dhe efikasitet përpara portës. Golat e Hekuran Berishës, Erion Hoxhallarit, Ruben Silva-Richards dhe Eridon Qardakut dëshmuan forcën goditëse të skuadrës së Ilir Dajës.

Partizani reagoi përkohësisht me golat e Altin Aliut dhe David Fadairos, duke e ngushtuar rezultatin në 2–3, por përsëri humbi ekuilibrin në momentin vendimtar. Në vend që të kërkonte barazimin me organizim dhe durim, skuadra u ekspozua përsëri dhe pësoi golin e katërt.

Dinamo e menaxhoi më mirë avantazhin, ndërsa Partizani u shfaq i çorganizuar, veçanërisht në fazën mbrojtëse. Të kuqtë treguan dëshirë dhe ritëm në sulm, por karakteri nuk mjafton kur skuadra humbet pozicionet dhe pëson gola kaq të lehtë.

Dy ndeshje që mund të vendosin të ardhmen e Bratut

Niveli i futbollit shqiptar dhe atij rumun mund të jetë i përafërt, por mentaliteti është shumë i ndryshëm. Te Partizani nuk mjafton të luftosh, të tregosh karakter apo të kesh “sjellje të mirë”. Te Partizani kërkohen fitore, pikë dhe trofe.

Përpara janë dy ndeshje jashtëzakonisht të vështira: përballja me kampionen në fuqi, Egnatian, dhe derbi i madh me Tiranën.

Nëse Partizani del me zero pikë nga këto dy sfida, atëherë nuk duhet të prisni që dikush tjetër t’jua bëjë valixhet. Duhet t’i përgatisni vetë dhe të ktheheni në Rumani.

Sepse Partizani nuk është një klasë ku lojtarët vlerësohen për sjelljen. Është një klub i madh, me histori, kërkesa dhe objektiva.

Dhe në futbollin profesionist, rezultatet maten me pikë — jo me fjalë.

FootballAbissnet Superiore 2026-2027