
Shkëndija, BRAVO jam vetë! Kuqezinjtë përmbysin sllovenët dhe vazhdojnë ëndrrën evropiane
Pas humbjes 2:1 në Slloveni, kuqezinjtë triumfuan me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe tani do të përballen me Hibernianin e Skocisë.
Shkëndija realizoi një përmbysje të madhe në Shkup, duke mposhtur NK Bravon 3:1 dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League.
Pas humbjes 2:1 në Slloveni, kuqezinjtë triumfuan me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe tani do të përballen me Hibernianin e Skocisë.
Ndeshja në stadiumin “Todor Proeski” nisi keq për skuadrën e Artim Pollozhanit. Jovan Stankoviç kaloi Bravon në epërsi në minutën e 17-të, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 3:1 për sllovenët.
Shkëndija nuk u dorëzua. Pas presionit të vazhdueshëm, harkimi i Drilon Islamit në minutën e 36-të u devijua në portën e tij nga Jovan Gashper, duke vendosur baraspeshën 1:1.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë hynë furishëm. Vetëm pesë minuta pas rifillimit, Almir Kryeziu shënoi me kokë pas asistimit të Tambës, duke përmbysur rezultatin në 2:1.
Shkëndijës i nevojitej edhe një gol për kualifikimin dhe ai erdhi në minutën e 88-të. Marko Gjorgjievski realizoi me kokë golin e tij të parë me fanellën kuqezi, duke shpërthyer festën në stadium.
Trajneri Artim Pollozhani vlerësoi paraqitjen, karakterin dhe reagimin psikologjik të skuadrës pas golit të pësuar.
“E manovruam ndeshjen jashtëzakonisht mirë. Merita u takon plotësisht futbollistëve. Ajo që më pëlqeu ishte se nuk e ulëm ritmin dhe vazhduam të krijonim raste”, deklaroi Pollozhani.
Sipas tij, Shkëndija po ndërton një mentalitet fituesi, ndërsa futbollistët që hyjnë nga stoli po japin një kontribut vendimtar në ndeshjet evropiane.
Megjithatë, trajneri pranoi se skuadra duhet të përmirësohet në finalizim, në dyluftime dhe në fazën mbrojtëse.
“Të tre golat që kemi pësuar ndaj Bravos kanë ardhur shumë lehtë. Duhet të punojmë te cinizmi i lojës dhe të jemi më të fortë në përplasje”, theksoi ai.
Pollozhani falënderoi gjithashtu tifozët dhe në veçanti “Ballistët”, të cilët krijuan një atmosferë të fuqishme në Shkup.
“Shkëndija ka tifozë jo vetëm në Tetovë, por edhe në qytete të tjera. Ne duhet t’ua kthejmë mbështetjen me ndeshje të bukura”, u shpreh trajneri.
Shkëndija tani e kthen vëmendjen nga Hiberniani. Ndeshja e parë do të luhet më 6 gusht 2026 në Edinburg.
Kuqezinjtë dhanë një tjetër mesazh të fortë në Evropë: Shkëndija, BRAVO jam vetë!
Shkëndija – NK Bravo 3:1 (1:1) Rezultati i përgjithshëm: 4:3 Golashënues: Gashper 36’ (autogol), Kryeziu 50’, Gjorgjievski 88’ / Stankoviç 17’ Stadiumi: “Todor Proeski”, Shkup Raundi tjetër: Hibernian – Shkëndija, 6 gusht 2026, Edinburg